Ish-ministri i Integrimeve Evropiane i Kosovës, Blerim Reka, ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes për dokumente udhëtimi mes Kosovës e Serbisë.
Reka ka thënë se pas 27 gushtit më dialogu i Brukselit nuk do të jetë i njëjtë. Ai në postim në Facebook ka shtuar se bisedimeve asimetrike i ka skaduar afati i përdorimit.
“Quid pro Quo, nga latinishtja (“çka për çka”; “diçka për diçka”; ose “shërbim për shërbim”), ky parim i lashtë tregtar, është thelbi i reciprocitetit në marrëdhëniet e sotme midis shteteve. Në mungesë të një ‘qeverie botërore’ e të një autoriteti supranacional, një shtet sovran nuk do të vepronte vet, sikur nuk do të detyrohej nga kundërveprimi i shtetit tjetër sovran. Sidomos kur dy shtete nuk njihen nga njëra-tjetra, e ku i vetmi instrument mbrojtës që i mbeti Kosovës, është pikërisht reciprociteti, si parim-shtyllë në raport me Serbinë. Pra, si përgjigje e natyrshme në mbrojtje të interesit shtetëror të Kosovës ndaj vendimeve unilaterale të Serbisë kundër qytetarëve të Kosovës sa herë që hynin në Serbi. Reciprociteti i zbatuar me 31 gusht nga Kosova, pra e detyroi Serbinë që të anulojë vendimin e saj për mosnjohjen e dokumenteve të Kosovës. Nga sot ai mori vulën Euro-Atlantike. Nëse reciprociteti u pranua për çështje teknike, nuk mund të paramendohet mospërfillja e tij, për çështjen thelbësore: marrëveshjen juridikisht obliguese për njohjen reciproke midis dy shteteve sovrane. Duket hap i vogël teknik, por i madh substancial. Pas 27 gushtit 2022, Dialogu i Brukselit nuk do të jetë i njejtë. Bisedimeve asimetrike u skadoi afati i përdorimit”, ka shkruar Reka në Facebook.