Fjalë Kyçe

Rëndohet situata nga Covid-19 në Shqipëri, 3 viktima sot, 59 në total

Rëndohet situata nga Covid-19 në Shqipëri, 3 viktima sot, 59 në total

Ministria e Shëndetësisë njofton se një pacient 69-vjeçar nga Shkodra ka ndërruar jetë në spitalin infektiv në QSUT, i konfirmuar me COVID19, i shtruar prej 10 ditësh në gjendje të rëndë.

Gjendja e tij është përkeqësuar si pasojë e vështirësisë në frymëmarrje dhe pavarësisht terapisë intensive medikamentoze dhe kujdesit të stafit mjekësor, 69-vjeçari, i cili vuante nga hipertensioni, nuk ka mundur të mbijetojë.

Që nga fillimi i epidemisë, 59 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID19, ndërsa vijon të ketë raste të rënda që po trajtohen në shërbimin infektiv.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon qytetarët të tregojnë kujdes, të mbajnë maskën dhe të respektojnë distancën nga njëri-tjetri si dhe bizneset të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë, për të ruajtur shëndetin e qytetarëve.

Vetëm gjatë ditës së sotme 3 persona humbën jetën si pasojë e covid19.

Më herët ministria njoftoi se dy viktimat e paradites ishin një 78 vjecare nga Tirana e transferuar nga një spital jo publik dhe një 83-vjecar nga Durrësi.

“Në 24 orët e fundit, referuar shërbimit infektiv, një paciente 78 vjeçare nga Tirana, e transferuar nga një spital jopublik, ka ndërruar jetë në spitalin infektiv, megjithë trajtimin intensiv në reanimacion dhe një pacient 83 vjeçar nga Durrësi, në terapi intensive, i cili vuante nga hipertensioni. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve të të ndjerëve”, tha Eugena Tomini.