Fjalë Kyçe

Reshitaj: Është dashur të bëheshin teste masive para hapjes së kufijve

Reshitaj: Është dashur të bëheshin teste masive para hapjes së kufijve

Albena Reshitaj, kryetare e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se do të duhej të bëheshin teste masive para se të bëhej hapja e kufijve.

“Hapja është bërë para se të fillojnë testimet masive, fillimisht është dashur të bëhej testimet masive pastaj të bëhet hapja e kufijve. Rritja e kapaciteteve për testime do ta ndihmojë vendin në identifikim të personave të prekur me COVID-19. Çdo qytetar e di kapacitetet që kemi, dhe po të vijë një fazë e re në vjeshtë, sa jemi si vend të përgatitur për një mundësi të hospitalizimit”, ka thënë Reshitaj.

Ajo ka shtuar se Qeveria duhet të përgatisë një strategji strikte, të analizuar mirë, duke u bazuar në rekomandimet e OBSH-së për një parandalim të një infeksioni me pasoja të rënda.

“Qeveria e Re e ka bërë një premtim që prioritet do ta ketë luftimin e COVID-19 dhe ka premtuar se do të bëjë testime virologjike dhe serumologjike. Tani duhet qasje tjetër, gjithnjë duke ruajtur edhe shëndetin mental të qytetarëve. Normalisht duke ndihmuar edhe rimëkëmbjen ekonomike. Bota është në një sprovë të rëndë dhe të paparashikueshme dhe ndonjëherë e shoh se qytetarët janë në një thikë me dy tehe, në njërën anë e kanë shëndetin dhe në tjetrën ekonominë. Neve mund të na shpëtojë vetëm nëse arrijmë të vetëdijësojmë qytetarin për rëndësinë e respektimit të masave”, ka thënë Reshitaj.

Sipas saj dëmet ekonomike janë më të mëdha se që po shihen.

“Pandemia si në çdo vend e ka prekur ekonominë edhe ashtu të brishtë të Kosovës, dëmet janë edhe më të mëdha që po i shohim. Kosova ka një nevojë imediate të intervenojë në këtë drejtim, dhe rimëkëmbja ekonomike është prioritet i dytë. Konsideroj se është një shumë mjaft e madhe për rimëkëmbje ekonomike”, ka thënë ajo.