Fjalë Kyçe

Reshjet e shiut ngritën nivelin e ujit në liqene dhe lumenj

Reshjet e shiut ngritën nivelin e ujit në liqene dhe lumenj

Gjatë gjithë ditës së sotme ka pasë reshje të vazhdueshme të shiut.

Hidrologu në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës Bashkim Kastrati ka thënë në Edicionin Special në Klan Kosova se reshjet e pandërprera të shiut kanë krijuar vërshime në disa zona.

“Tani kanë filluar të ndërpriten reshjet e shiut që kanë filluar qysh në orët e para të ditës së sotme, më shumë se 15 orë tani. Këto reshje kanë përfshirë më shumë pjesën lindore, veri-lindore dhe jug-veriore të Kosovës. Sasia e reshjeve deri në orën 12:00, sipas IHMK-së, ka qenë mesatarisht rreth 50 ose 60 mm reshje që janë potencialisht të mjaftueshme për të krijuar vërshime të shpejta në disa zona”.

“Gjatë ditës së sotme në disa pjesë të Kosovës ka pasë disa përmbytje, por që janë të karakterit lokal. Këto reshje janë shumë të mirëseardhura dhe të mirëpritura për ekonomi, bujqësi dhe bilanc hidrologjik”.

Kastrati ka treguar se si është gjendja me nivelin e ujit të liqeneve dhe lumenjve në Kosovë nga ku qytetarët furnizohen me ujë të pijshëm, që deri tani nuk ishte edhe shumë e mirë.

“Prej vitit të kaluar kemi qenë në një situatë të vështirë hidrologjike për shkak të deficitit të reshjeve. Si pasojë e kësaj rezervuarët kryesorë të ujit të pijshëm nga të cilët furnizohet pjesa më e madhe e qytetarëve – Batllava, Badoci dhe Ujmani – kanë qenë në kuota të ulëta. Po besojmë që kullimi i pellgjeve do të vazhdojë ditëve në vazhdim dhe akumulacionet janë në ngritje e sipër. Ndoshta nuk do të arrijnë kuotat maksimale, por janë të mjaftueshme që të kalohet kjo situatë e rëndë që ishte deri më tani”.

Hidrologu ka thënë se reshjet kanë arritur kulminacionin ditën e sotme, derisa ditëve në vijim priten riga lokale shiu, por jo me këtë intensitet.