Në një burg në Kosovën lindore, po zhvillohen plane për të larguar të gjithë të burgosurit vendas dhe për të liruar hapësirën për të burgosurit e huaj që do të transportohen me avion nga Danimarka, më shumë se 2,000 kilometra larg.
Danimarka pritet të dërgojë 300 të burgosur në vendin ballkanik, hera e parë kjo për Kosovën dhe një veprim i kritikuar shumë nga ekspertët danezë të të drejtave të njeriut, raporton Reuters.
Shërbimi i burgjeve të Kosovës do të rindërtojë burgun e Gjilanit gjatë dy viteve të ardhshme sipas standardeve daneze para se të pranojë të dënuarit nga vendet joanëtare të Bashkimit Evropian, të cilët do të deportoheshin nga Danimarka pas dënimit.
Vetë burgu tetëvjeçar nuk ngre shqetësime për të drejtat e njeriut, por vendimi për strehimin e të burgosurve në Kosovë, tha Therese Rytter, drejtore ligjore e “Dignity”, një organizatë daneze për të drejtat e njeriut.
“Ka pasur akuza të besueshme për abuzim në të kaluarën”, tha Rytter. “Kjo nuk do të thotë se do të ndodhë (në Kosovë), por ka padyshim një rrezik në rritje në krahasim me atë nëse ata do të kishin qenë në një burg danez”, tha ajo.
Departamenti Amerikan i Shtetit në raportin e tij për vitin 2023 tha se megjithëse burgjet e Kosovës plotësonin disa standarde ndërkombëtare, dhuna mes të burgosurve, korrupsioni dhe trajtimi joadekuat për të burgosurit me aftësi të kufizuara mendore vazhdoi.
Komiteti i OKB-së kundër Torturës tha në një raport nga dhjetori 2023 se ishte i shqetësuar për aksesin e të burgosurve në kujdesin shëndetësor dhe vizitat familjare.
Parlamenti i Kosovës miratoi marrëveshjen të enjten e kaluar, për të cilën Danimarka, një vend i pasur nordik thotë se do ta ndihmojë atë të përballet me burgjet e mbipopulluara dhe mungesën e rojeve të burgjeve.
Në këmbim, Kosova, një nga vendet më të varfra të Evropës, do të marrë 210 milionë euro gjatë 10 viteve të ardhshme.
Asnjë person i dënuar për terrorizëm apo burgim të përjetshëm nuk do të transferohet në Gjilan, sipas ministrisë daneze të drejtësisë dhe Ismail Dibranit, kreut të burgjeve të Kosovës.
“Ata individë që do të arrijnë janë lehtësisht të menaxhueshëm nga sistemi ynë”, tha Dibrani.
Gjinia e të burgosurve nuk u konfirmua.
Një guvernator danez burgu do të bashkëadministrojë objektin me një drejtor lokal, ndërsa të gjithë rojet do të jenë vendas.
Gardianët kosovarë të burgut do të marrin trajnime nga autoritetet daneze për të siguruar që trajtimi i të burgosurve të përmbushë standardet daneze dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, tha ministria daneze e drejtësisë.
Por ekspertët danezë të të drejtave të njeriut nuk janë të bindur.
“Një kurs dy mujor nuk e ndryshon sjelljen”, tha Rytter.
Rinor Behluli, i cili jeton afër burgut në fshatin Pasjak, tha se për të nuk ka rëndësi se nga vijnë të burgosurit.
“Pavarësisht nëse ata janë nga Danimarka, Anglia apo gjetkë, ata janë njerëz të burgosur”, tha ai.
Të dënuarit e parë pritet të transferohen midis 21 dhe 25 muajve pasi të fillojë rindërtimi i burgut, i cili pritet brenda javësh, sipas ministrisë daneze të drejtësisë.