Fjalë Kyçe

Revolucioni i Antonio Conte tek Interi fillon me mesfushën

Revolucioni i Antonio Conte tek Interi fillon me mesfushën

Trajneri nga Salento mund të gjejë veten me një mesfushë krejtësisht të re, për ta ndërtuar sezonin e ri krejt ndryshe nga e kaluara.

Blerja e Stefano Sensi tashmë është zyrtare; Nicolò Barella, gjithnjë e më afër, ndërkohë që në focus është një njohje e vjetër për Conte, si Arturo Vidal.

Sipas “La Gazzetta dello Sport”, kilieni do të ishte “qershia mbi tortë” për këtë repart të zikaltërve. Klubi zikaltër është në kërkim të një lojtari tjetër, që garanton thellësi taktike dhe përvojë ndërkombëtare, për t’ia vënë në dispozicion trajnerit të ri. Ai u ndoq edhe një vit më parë, kur po linte Bayernin, por zgjodhi Barcelonën si fazën e ardhshme të karrierës.

Sezonin e fundit ishte një nga lojtarët kryesorë të trajnerit Valverde, me pothuajse 60 paraqitje, pas një fillimi të vështirë. Interi, megjithatë, nuk duket të jetë i frikësuar para murit të mundshëm të katalanasve për lojtarin në fjalë. Kjo, për shkak se ka një armë shtesë. Dihet marrëdhënia e madhe që ruan mesfushori kilien me trajnerin Conte që nga koha kur punonin të dy bashkë te Juventusi. 

Për ta rrëmbyer atë nga Barcelona do të duheshin të paktën 20-22 milionë euro, por si operacion do të mbyllej vetëm në 15 ditët e ardhshme. Barcelona vështirë se do të dorëzohej në fund të merkatos për një mesfushor të kalibrit të madh. Zikaltrit mendojnë për këtë pistë, por së pari duhet të largojë disa të tjerë. Tre lojtarë janë gati për ta përshëndetur mesfushën zikaltër: Borja Valero, Joao Mario, por mbi të gjitha Radja Nainggolan. Transferimi i tyre do të ishte çelësi për çdo hyrje të mundshme në këtë repart.