Fjalë Kyçe

Rexhaj: Dialogu duhet të rimodelohet

Rexhaj: Dialogu duhet të rimodelohet

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka thënë se dialogu Kosovë-Serbi duhet të rimodelohet.

Në një deklaratë për “Ekonomia Online”, Rexhaj e ka cilësuar të vështirë dialogun me Serbinë për shkak të qasjes dekonstruktive të saj. Teksa ka përmendur sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, Rexhaj ka thënë se në situata të tilla dialogu nuk mund të vazhdojë.

Rexhaj është ankuar edhe në ndërmjetësit në dialog.

“Nuk mund të ketë dialog me një Serbi për mënyrën së si sillet. Ne kemi pas një marrëveshje të dakorduar e cila ka përmbajt disa pika, ndër to ka qenë zotimi i dy palëve tjetër në anëtarësime në organizma ndërkombëtarë, ndërkohë në anën tjetër kemi pa pra se me çfarë gjuhe me çfarë ashpërsie Serbia është munduar ta ndalojë Kosovën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës”, ka thënë ai. “Në anën tjetër ka pasur një sulm terrorist me motive që të aneksojë një pjesë të Republikës së Kosovës, në këtë rast veriut, dhe natyrisht në situata të tilla dialogu nuk mund të vazhdojë. Pra duhet të rimodelohet dhe pastaj keni parë edhe idenë kur ndërmjetësit tentojnë t’i gjejnë faj, pra në këtë rast të hedhin faj nga vetvetja. Ndonëse mendoj se qasja që nga fillimi ka qenë jo e mirë”, ka deklaruar Rexhaj.

Sipas Rexhajt, Kosova e ka treguar veten më serioze në dialog pasi edhe ka propozuar nënshkrimin e marrëveshjeve.

“Mendoj se Kosova e ka treguar veten sepse disa herë ka propozuar nënshkrim të marrëveshjes. Dikush ka thënë ndonëse edhe faktori ndërkombëtar kanë thënë se kur marrëveshja është e dakorduar nuk ka nevojë për nënshkrim, por me qenë se ne e njohim se me kë kemi të bëjmë, pra me një Serbi e cila përherë i ka shkelur marrëveshjet. Ne i kemi 3 marrëveshje të dakorduara me Serbinë. Zbatimi i tyre dhe pse kanë qenë të dakorduar, si ajo e targave dhe tjera, ka qenë vështirë e implementueshme. Edhe pse ka pasur dakordim ne gjithmonë kemi insistuar në nënshkrimin e saj madje edhe në Këshillin e Sigurimit ku kryeministri i Kosovës i drejtohet Vuçiqit dhe i thotë eja ta nënshkruajmë. Mendoj që megjithatë dialogu duhet të rimodelohet dhe shihet në një formë tjetër”, ka thënë ai.

Nga shtatori pritet që detyrën e ndërmjetësit evropian në dialogun Kosovë-Serbi ta marrë ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, i cili veçse ka njoftuar se është duke e përgatitur një dokument për të ardhmen e procesit. Deri tash në këtë post ka qenë sllovaku Miroslav Lajçak, që së fundmi u kërkoi Kosovës e Serbisë t’u japin zbatim obligimeve të papërmbushura nga marrëveshjet e dakorduara në Bruksel. Si përgjegjësi të Kosovës, ai ka numëruar pranimin e draftstatutit të ofruar nga Bashkimi Evropian për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe.

PDK-ja e AAK-ja akuzojnë Qeverinë se po dialogon për çështje të brendshme

Opozita ka akuzuar Qeverinë se po dialogon edhe për çështje të brendshme. Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, e konsideron çështjen e dinarit si të tillë që nuk do duhej të diskutohej në dialog.

“Problematika dhe negociatat për dinarin nuk do duhet të fillonin fare. Ky është improvizim i institucioneve shtetërore qeveritare të nivelit më të lartë sepse dinari është problem i brendshëm i Kosovës i rregulluar me ligj, problem të cilin nuk do duhej fare ta nxjerrim në arenën ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se situata për dinarin ka degraduar dhe tashmë ka sjellë pasoja të mëdha politike dhe ekonomike për vendin.

“Fatkeqësisht tashmë kjo situatë ka degraduar dhe çështje të brendshme po kalojnë në agjenda ndërkombëtare e që kjo ka pasoja të madhe politike dhe ekonomike për vendin tonë. Pra kemi qenë dhe jemi që çështjet e brendshme të diskutohen brenda, por fatkeqësisht Qeveria po nxjerr pothuajse çdo muaj nga një aferë të paarsyeshme të panevojshme për t’i ikur gjendjes reale në të cilën e ka pruar vendin. Krejtësisht politike, krejtësisht për konsum ditor të brendshëm të saj, krejtësisht jashtëligjore, krejtësisht të panevojshme. Për mua është e përfunduar sepse ligji është i qartë, kompetencat janë të qarta, veprimet operacionale që ka ndërmarrë Qeveria me ose pa koordinimin e faktorit ndërkombëtar ato janë përgjegjësi direkte e kryeministrit dhe atyre që merren me këtë punë”, ka thënë Shala për “Ekonomia Online”.

Edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj është ankuar për çështjen e diskutimit në dialog për dinarin.

“Kur është marrë vendimi në bazë të Rregullores së BQK-së, kanë pasur të drejtë dhe ne e kemi përshëndetur. Këta janë ndalur dhe e kanë përvetësuar për vete, ‘ja që ne e ndalëm dinarin, ja që kjo është çështje kushtetuese e vendit dhe që nuk do të vazhdohet nuk do ketë dialog sa i përket çështjes së dinarit në Bruksel’, por doli e kundërta dhe pesë takime që i kanë pas, nuk ka pas të themi përparim sa i përket çështjes së dinarit”, ka thënë Lekaj.

Deputeti i AAK-së ka thënë se Qeveria ka dalë joserioze para ndërkombëtarëve dhe qytetarëve të saj.

“Qeveria po del shumë jo serioze ndaj institucioneve ndërkombëtare e sidomos ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës që është zotuar që nuk do ta diskutojë çështjen e dinarit në Bruksel, por ja që po diskutohet, ja që e ka ngritur në nivelin politik dhe në nivelin e dialogut”, ka thënë ai.

Më 1 shkurt ka hyrë në fuqi Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës që përcaktoi euron si të vetmen valutë në Kosovë. Hyrja në fuqi e kësaj rregulloreje zemëroi Serbinë, e cila përmes buxhetit të saj shtetëror u dërgon ndihmë financiare serbëve që jetojnë në Kosovë. Bashkësia ndërkombëtare i ka kërkuar Kosovës ta pezullojë rregulloren, në mënyrë që t’u jepet kohë qytetarëve që të përshtaten me praktikën e re. Deri tash në Bruksel janë mbajtur disa takime për këtë çështje. I ardhshmi pritet të mbahet më 13 maj.