Fjalë Kyçe

Rexhepi: Koha e krijimit të “Serbisë së Madhe” ose e “Shqipërisë së Madhe” ka kaluar

Rexhepi: Koha e krijimit të “Serbisë së Madhe” ose e “Shqipërisë së Madhe” ka kaluar

Zëvendëskryeministrja Emilia Rexhepi, ka thënë se për të është një nder dhe privilegj që ka këtë pozitë duke e quajtur si një përgjegjësi të madhe që e ka marrë përsipër.

“Unë do t’u përfaqësoj në mënyrë të barabartë të drejtat dhe interesat e të gjitha komuniteteve jo-shumicë, duke luftuar për statusin e tyre brenda programit të Kryeministrit tonë, Albin Kurtit, i cili është i përkushtuar për reforma në drejtësi, arsim, shëndetësi, përfshirë ekonominë më intensive dhe zhvillimin e vendit me një agjendë të fortë shoqërore”.

Ajo ka theksuar se me Bosnjën Hercegovinën janë duke pasë problem pasi autoritetet e atjeshme nuk janë duke e njohur shtetësinë e Kosovës, transmeton Klan Kosova.

“Një nga problemet më të vështira që kemi me Bosnjën është mosnjohja e shtetit të Kosovës si një shtet sovran, madje edhe mosnjohja e dokumenteve tona për të udhëtuar lirshëm”.

Rexhepi për mediumin boshnjak “Dnevni Avaz” ka folur edhe për situatën në rajon duke thënë se Ka kaluar koha e krijimit të “Serbisë së madhe” apo edhe të “Shqipërisë së Madhe”.

“Ne jemi duke e përcjellë situatën politike në Mal të Zi, por edhe në vendet e tjera fqinje. Koha e krijimit të “Serbisë së Madhe” ose e “Shqipërisë së Madhe” ka kaluar. Të gjitha kombet e Ballkanit duhet ta kuptojnë se koha e nacionalizmit, dhe mbi të gjitha forca shoviniste e një kombi si superior, nuk i ka sjellë askujt aspak të mira dhe është sjellje e gabuar”

“Pra, le ta respektojmë njëri-tjetrin, le të respektojmë vlerat e diversitetit. Sigurisht, një e kaluar e vështirë nuk mund të harrohet kurrë, por është detyrimi ynë prindëror dhe qytetar të rrisim fëmijët tanë në një frymë tolerance”.

E treta e Qeverisë ka deklaruar se Albin Kurti dhe ajo nuk kanë qenë dhe nuk janë kundër popullit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke folur për vazhdën e Marrëveshjes së Washingtonit.

“Qeveria jonë e re ka një detyrim të madh ndaj qytetarëve. Ne së pari do të përqendrohemi në sistemin e kujdesit shëndetësor, reformat në gjyqësor dhe arsim, por, natyrisht, dialogu me Serbinë dhe normalizimi i marrëdhënieve duhet të vazhdojë, por unë e di me siguri që me Kurtin ky proces do të jetë shumë më i përgjegjshëm institucionalisht sesa ka qenë deri më tani”, ka thënë Rexhepi në një intervistë për “Dnevni Avaz” .