Miqësia Kosovë-ShBA është zbehur pasë nëntorit të vitit të kaluar. Taksa e vendosur ndaj produkteve që vijnë nga Serbia ka bërë që marrëdhëniet miqësore mes Kosovës dhe ShBA-së edhe të tensionohen deri në masën sa po paralajmërohen edhe sanksione.
Nga shteti më i fuqishëm në botë vazhdimisht po bëjnë kërkesë tek krerët politik që këtë vendim ta kthejnë mbrapshtë dhe ta pezullojnë taksën, pasi që sipas tyre kjo nuk është një alternativë e mirë për zgjidhjen e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë.
Por këtë raport ndryshe po e sheh drejtori ekzekutiv i shoqatës “Miqtë e Amerikës”, Agim Rexhepi, ai në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se aludimet se mes Kosovës dhe ShBA-së ka përçarje raportesh, nuk qëndrojnë aspak
.Megjithatë Rexhepi fton krerët shtetërorë që të ruajnë marrëdhëniet mes Kosovës dhe ShBA-së .“Që në start mendoj që nuk ka përçarje të madha, këto janë finesa që në parim janë mosmarrëveshje eventuale, sepse nuk e besoj që asnjëri nga personalitetet e nivelit më të lartë institucional nuk e ka atë dëshirë dhe guxim dhe atë luks që të bëjë këso veprime dhe me pasë divergjenca me ShBA-në, mendoj që këto janë lojëra politike”.
Rexhepi tha se Kosova duhet ta dëgjoj shtetin mik Amerikën, pasi që pa të nuk mundet të marr asnjë hap, madje as në vendimet e saj të brendshme.
Ai paralajmëron edhe heqjen e taksës.
“Besoj që shumë shpejt edhe taksa do të prolongohet dhe do të dëgjohet propozimi i aleatit tonë strategjik, sepse pa të jemi të vetëdijshëm që në asnjë hap ne nuk mundemi me ndërmarrë në asnjë mënyrë nuk dëshiroj me anashkaluar rolin e madh të institucioneve tona para luftës dhe pas luftës”.
“…mirëpo në këtë kohë dhe në të ardhmen veprimet tona të mëdha pa një aleat strategjik të fuqishëm nuk mundesh me i realizuar”.
Sipas Rexhepit, taska dhe vendimi për mbajtjen e saj në fuqi, është më shumë një lojë e caktuar politike mes krerëve të vendit.“Marrëdhëniet duhet të ruhen, mbi 90 për qind të popullit shqiptarë janë ithtarë që kjo miqësi të ruhet, institucionet tona po luajnë një lojë të caktuar politike, taksa duhet të prolongohet, me gjithë qefin që e kemi që ajo të mbahet”.
“Nuk mundemi të themi se mund të kemi përçarje, sepse amerikanët e dinë që populli shqiptarë kudo që janë, kanë një respekt dhe simpati pro amerikane”, tha ai, raporton EO.
Ndryshe krerët e shtetit më 12 shkurt të këtij viti, pranuan një letër nga ambasadori amerikan në Kosovë, Philip S. Kosnnett, i cili u drejtohet krerëve të vendit se veprimet e tyre të fundit minojnë mundësinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të vazhdojnë bashkëpunimin me vendin tonë në një fushë të gjerë objektivash të përbashkëta.