Fjalë Kyçe

Rexhepi tregon se si e mposhti Prishtinën

Rexhepi tregon se si e mposhti Prishtinën

Xhengis Rexhepi, kryetrajner i skuadrës së Llapit është ndarë i kënaqur me paraqitjen e djelmoshave të tij në duel me Prishtinën (1-0).

Tekniku tetovar është shprehur i lumtur me këtë triumf, teksa ka analizuar mënyrën e lojës, se si futbollistët e tij arritën ta mposhtnin Prishtinën.

“E kemi merituar fitoren, pasi që e kemi dominuar ndeshjen në tërësi. Krijuam shumë raste dhe kjo është gjë pozitive, sidomos të krijosh ndaj një kundërshtari si Prishtina, të cilin e shohin gjithë si ndër pretendentët kryesorë për titull. Këtë gjë e dëshmuam edhe në ndeshjen e kaluar ndaj Feronikelit, por për dallim nga ndeshja e kaluar, në këtë përballje ne funksionuam në të gjithë zonat dhe në fund e arritëm rezultatin e kërkuar. Merita për këtë u takon futbollistëve të cilët po luajnë futboll modern gjatë 90 minutave dhe po i mësojnë të tjerët se si luhet futbolli”, deklaroi Rexhepi.

Më tej Rexhepi theksoi se rezultati final i ndeshjes nuk ishte pasqyrë reale e lojës, pasi që ekipi tij ka mundur të fitonte me epërsi më bindëse.

“E kemi ditur se fitorja ishte opsioni i vetëm për ne në këtë përballje, pasi që vetëm tre pikët na mbanin në garën për titullin kampion. Kjo ndoshta dikoi te futbollistët që të mos kenë qetësinë e duhur në momentet e caktuara dhe krejt kjo falë dëshirës dhe entuziasmit për ta fituar ndeshjen. Në dhomat e zhveshjes u thashë futbollsitëve që ne jemi skuadër më e mirë se Prishtina, por vetëm duhet ta ruajmë qetësinë dhe të përfundojmë aksionet që po ndërtojmë. Goli erdhi si një variacion të cilin e praktikojmë vazhdimisht dhe kjo dëshmoi për cilësinë që ka ekipi ynë. Po të realizonim mundësitë e tjera që kishim rezultati do të ishte edhe më i thellë”, përfundoi Rexhepi.