Seanca e sotme e Kuvendit të Kosovës ka kaluar me tensione debati mes deputetes së AAK-së Teuta Haxhiu dhe Kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.
Ndërsa Kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani, propozoi një rezolutë-mosbesimi individual ndaj Zëvendëskryeministrit serb Goran Rakiq, deputetja e AAK-së Teuta Haxhiu ka reaguar ashpër.
”Për ne si AAK, çka do që është me Kushtetutë, kërkojmë respektim të Kushtetutës”.
”Personalisht duke ditë rëndësinë e rezolutave, aq më tepër që fare nuk janë obligative për Qeverinë e Kosovës e kjo është fatkeqësi sepse kemi me dhjetra rezoluta për të pagjeturit me të cilat ish dasht të kushtëzohej në Bruksel me vazhdimin e dialogut”.
”Rezolutat sa për të thënë apo bë pak politike, nuk mund të rregullojnë asgjë”.
”Personalisht kisha mbështetë sikur ta ndërronim Kushtetutën e vendit edhe me ja tregu vendin sikur Rakiqit apo dikë tjetër që vetëm edhe një fjalë e përdorë anti-kushtetutese”.
”Sa i përket ligjit të pandemisë, jemi për të diskutu dhe dhënë ide konkrete. Si grup parlamentar kemi diskutuar gjatë dhe jemi dakord të futet si pikë e rendit të ditës”.
”Propozimi im është që Lista Serbe të hyn në votime kur vjen koha e zgjedhjeve sikur ne deputetët kur hymë sic ka ndodhur me deputetët e Luginës së Preshevës në votimet në Serbi. Kur ta marrësh një iniciativë kryetare mua më ke prapa, e jo rezoluta që vetëm mbesin në sirtar sa për të bërë politikë”.
Pas këtyre deklaratave e acaruar ka reaguar Kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani, e cila fjalimin e Teuta Haxhiut e quajti fyerje, njofton Klan Kosova.
”Me fyrjet tua gati në çdo seance unë thuajse jam mësu”, ka thënë Osmani.
”Nuk mund të thuash një rezolutë është jobligative e tjetra është obligative. Unë e sqarova shumë mirë. Rezolutat shprehin vullnetin politik të këtij Kuvendi”.
”Nëse vullneti yt politik është me hesht kur një zëvendëskryeministër i Kosovës thotë: ”Do t’i bashkohem Vuçiqit në betejën e tij për Kosovën e Metohinë”, në rregull – voto kundër kësaj rezolute”.
”Por nëse ke qëndrim politik kundër deklaratave të tilla, do ta shprehësh atë qëndrim përmes kësaj rezolute. Por ofendimet lëri anash”.
Përplasja verbale me Osmanin vazhdoi edhe më tej derisa deputetja Haxhiu, ka kërkuar të marrë fjalën për të kërkuar sqarim rreth akuzave ka fyer gjatë seancave por këtë nuk e ka bërë Kryetarja e Kuvendit.
”Mos e keqpërdor detyrën zyrtare”.
”Rakiqin e ke kojshi e njeh më mirë se ne. Unë nuk fyj, por bëjë politikë. Iu tregojë atyre që vendin e kanë në Beograd”.
”Për çfarë fyerjesh është fjala? Më kalo fjalën”, ka qenë kërkesa e deputetes Teuta Haxhiu.