Fjalë Kyçe

Riciklimi në Kosovë, barrë që s’u vlerësohet minoriteteve

Riciklimi në Kosovë, barrë që s’u vlerësohet minoriteteve

Kur lind dielli mbi Prishtinë, familja tetë-anëtarëshe Maksuti shpërndahet në kryeqytet për të shikuar nëpër bërllok për copa plastike e metali, si pjesë e një ushtrie të padukshme që bën punët e papastra të riciklimit në Kosovë.

“E nisim rreth orës 7:00 dhe jemi jashtë kontejnerëve gjithë ditën”, ka thënë për AFP-në Bujar Maksuti, kreu i kësaj familjeje rome, teksa qëndronte pranë një koshi bërllok të mbushur me insekte.
Menaxhimi i dobët i mbeturinave në Kosovë është një nga kërcënuesit e ambientit që grumbullohet në qosh të Evropës, me deponitë ilegale në fshatra e deponi të rrezikshme që derdhen nëpër ujëra nëntokësorë, transmeton Koha.net.

Prapëseprapë, kjo çështje merr pak vëmendje edhe në fushatën elektorale për zgjedhjet e 6 tetorit, ku çështja e ambientit nuk kryeson asnjë listë prioritetesh te asnjëra parti, shkruan më tej “AFP”.

Njëjtë të harruar janë edhe më të varfrit e të varfërve që bëjnë punën më të mëdha me mbeturina, punë tejet pak e paguar, punë e rrezikshme.

Shumicën e kësaj pune e bëjnë komunitetet rom, ashkali e egjiptianë, që zënë rreth 2 për qind të popullatës në

Kosovë, thuhet më tej në raportim.

Në mungesë të kontratave zyrtare – bashkë me diskriminimin që shpesh ua mbyll rrugën romëve për punë të tjera – kjo i lë mbledhësit e bërllokut të hapur për shfrytëzim nga kompanitë që blejnë mbeturinat që ata i mbledhin dhe i eksportojnë.

Shumica e këtyre mbledhësve fitojnë mes 50-100 euro në muaj, një e pesta e pagës mesatare në Kosovë, sipas një analize të kryer më 2018 nga ECMI (Qendra evropiane për çështje të minoriteteve në Kosovë).

Por në një industri që gjeneron rreth 40 milionë euro në vit në eksporte, fitimet e kompanive të riciklimeve janë shumë më të mëdha, sipas OJQ-së, që ka thënë se të paktën pak nga ato para mund të përdoreshin për të nxjerrë mbledhësit nga varfëria.

Kurthi i varfërisë

Papastërti dhe rrezik, kjo punë i mban të margjinalizuar romët dhe minoritetet tjera.
“Të punosh në riciklim s’është punë me nder… po punoni me bërllok”, ka thënë Bashkim Ibishi nga OJQ Advancing Together, që lobon për përfshirje sociale në Kosovë.

Po ashtu ushqehen paragjykimet ndaj komuniteteve, ka shtuar ai.

Shumë fëmijë të këtyre komuniteteve ndihmojnë prindërit e tyre, duke munguar edhe në shkollë e duke përjetësuar varfërinë. Sipas UNICEF-it, 17 për qind e fëmijëve romë, ashkalinj e egjiptianë punojnë, 60 për qind jetojnë në varfëri absolute e gati një e treta e vajzave nuk kompletojnë shkollimin fillor.

Puna e riciklimit shfaq edhe rreziqet shëndetësore pasi punëtorët nuk kanë pajisjet e duhura për të trajtuar mbeturinat që shpesh mund të jenë të rrezikshme.

Familja Maksuti, që kalon shumicën e vitit në Shqipëri, por vjen në Kosovë për të punuar gjatë verës, i dërgon fëmijët e tyre më të rritur për të kërkuar nëpër lokacione të tjera, ndërsa djalin e vogël dhe të bijën i marrin pas, duke i përcjellë nga distanca.

“I mbajmë të rinjtë më larg ashtu që të mos sëmuren”, ka shpjeguar Maksuti, që përdor një karrocë dore për të lëvizur bërllokun deri të kenë mjaftueshëm për të shitur.
Sikur shumica e të tjerëve që merren me këtë punë, familja Maksuti nuk ka një automobil dhe u duhet të paguajnë një kamion për të transportuar mallrat drejt një kompanie private riciklimi, e që ua merr gati gjysmën e të hyrave javore.

“Jo prioritet”

Në raportin e 2018-s, Agjencia e Mbrojtjes së Ambientit në Kosovë ka thënë se “sistemi aktual i menaxhimit të mbeturinave të ngurta është i paqëndrueshëm”.

Aty thuhet se me më pak se 60 për qind e shtëpive që shfrytëzojnë shërbimin e grumbullimit të mbeturinave, shumë shtëpi djegin mbeturinat ose i hedhin ilegalisht duke dëmtuar “shëndetin e njeriut, ujin, ajrin, tokën dhe biodiversitetin”.

Shpesh mbetjet e rrezikshme nuk trajtohen ndaras, duke u bërë kërcënim për ujërat nëntokësorë dhe tokën në deponitë nëpër Kosovë që janë afër mbushjes së plotë.

“Fatkeqësisht, menaxhimi i mbetjeve nuk u konsiderua prioritet”, thuhet në raport, duke shtuar se fondi i kufizuar vetëm e ka përkeqësuar situatën.
Për shkak se puna e riciklimit bëhet akoma “vetëm nga sektori informal”, ajo paraqiste “rreziqe të mëdha shëndeti” për mbledhësit e bërllokut dhe fëmijët e tyre.

Ajo po ashtu nënkuptonte që në Kosovë po zvogëlohet potenciali i riciklimit, me vetëm pesë për qind të mbetjeve që aktualisht riciklohen, në vend të rreth një të tretës, sipas “Institute for Development Policy”, grup lokal i ekspertëve.
Albert Kinolli, ish-deputet nga komuniteti rom, ka thënë se shumica e atyre që e bëjnë këtë punë, e bëjnë për shkak të dëshpërimit.

“Romët s’kanë zgjidhje tjetër, pos të përpiqen të mbijetojnë duke shikuar nëpër kontejnerë e të mbledhin bërllok”, ka thënë ai për “AFP-në”.

Përpjekjet për të tejkaluar këtë çështje u shuan pas rënies së qeverisë këtë verë, ka shtuar ai.
Në ndërkohë, familjet si ajo Maksuti vazhdojnë të mbijetojnë, duke dërguar në shtëpi tetë euro, madje në ditët e mira.

“Tetë euro është para e madhe. Është e hyrë e madhe për ne”, ka thënë Bujari.