Fjalë Kyçe

Rifat Jashari: Kam dhënë 56 anëtarë, por kam fituar 8 milionë shqiptarë

Rifat Jashari: Kam dhënë 56 anëtarë, por kam fituar 8 milionë shqiptarë

Rifat Jashari, vëllai i komandantit legjendar Adem Jashari, gjatë ditëve të Epopesë së UÇK-së ka mirëpritur shumë mysafirë në kullën e tij në Prekaz.

Derisa ka pritur pedagogët ushtarakë që kanë trajnuar Adem Jasharin në Shqipëri, para mysafirëve, ai ka thënë se ka dhënë 56 anëtarë të familjes, por ka fituar 8 milionë shqiptarë.

“Përbesë kur vishin për ngushëllime në Mynhen atje profësorë e doktorë, shumë e shumë, edhe mu bë e tepërt. Thash o zotni, kurrkush nuk po thotë që janë pak, por i kam dhënë 56 , e i kam fitu 8 milionë shqiptarë, edhe qashtu më ka dalë.”, ka thënë Jasharaj.

Më 5 mars janë bërë 26 vjet nga rënia e komandantit legjendar Adem Jasharit, familjes së tij dhe Jasharëve të tjerë. Që nga viti 1991 deri më 1998, Prekazi dhe Drenica ishin të rrethuar nga forcat policore, ushtarake e paraushtarake serbe. Synimi ishte vrasja e komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari dhe familjes së tij, për të shuar dhe shtypur rezistencën që familja Jashari me në krye Ademin e Hamzën po i bënin regjimit të Sllobodan Millosheviqit.

Më 30 dhjetor të vitit 1991 ishte kryer sulmi i parë ndaj familjes Jashari, ndërsa, sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kanë kryer në muajin janar 1998. Më 22 janar forcat serbe e kanë sulmuar familjen Jashari, por edhe kësaj beteje, fëmijët dhe gratë e familjes Jashari i kanë rezistuar. Megjithatë, në këtë betejë që ka zgjatur afër 30 minuta, të plagosura kanë mbetur Iliriana, vajza e Rifat Jasharit dhe Selvetja, vajza e Hamzë Jasharit.

Sulmi i tretë, që ka ndodhur më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998 u ka marrë jetën e 55 njerëzve në fshatin Prekaz, 22 prej të cilëve ishin familjarë të ngushtë të Adem Jasharit. Këtij sulmi i ka mbijetuar vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia ka dalë që mes datës 5-6 mars të largohej nga rrethimi dhe arrin t’i shpëtojë sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila ka parë dhe përjetuar tmerrin derisa ishin duke u vrarë anëtarët e familjes së saj.

Sulmi i gjerë që Serbia e kishte ndërmarrë në Drenicë për të eliminuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ishte kthyer në një rrethim të hekurt për Lagjen e Jasharëve në Prekaz, që ishte qendra dhe simboli i luftës për liri në Kosovë.

Në Lagjen e Jasharëve në Prekaz është ngritur monumenti më i madh për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës dhe më 5, 6 e 7 mars të çdo viti, kombi shqiptar kthehet me respekt dhe admirim për ta kujtuar këtë ngjarje të lavdishme të historisë sonë më të re.