Gjermania duhet të vazhdojë të kufizojë numrin e njerëzve në grumbullime dhe udhëtimet e panevojshme, derisa shteti po përballet me rritje të numrit të të infektuarve, ka thënë një ndihmës i kancelares Angela Merkel, të dielën.
“Duhet të jemi më strikt në vendet ku infeksioni ka më shumë mundësi të përhapet, si ahengjet dhe fatkeqësisht edhe udhëtimin”, i ka thënë kryetari i stafit të kancelares, Helge Braun, ARD-së.
“Jemi në fillim të valës së dytë dhe vetëm vendosmëria e politikanëve dhe popullsisë mund të vendosë nëse do ta tejkalojmë ose ta ngadalësojmë”, shton ai.
Gjermania ka menaxhuar të mbajë numrin e të infektuarve dhe të vdekurve nga koronavirusi më poshtë se shumë prej fqinjëve, por numri ditor i rasteve të reja ka kaluar mbi 4,000 që nga e enjtja, shifra më e lartë që nga prilli, raporton Reuters.