Fjalë Kyçe

Rimeçi mes Mayweather dhe Pacquiao po ndodh

Rimeçi mes Mayweather dhe Pacquiao po ndodh

Floyd Mayweather dhe Manny Pacquiao do të ndeshen përsëri edhe atë gjatë këtij viti. Kështu ka thënë komentatori i njohur i BBC, Mike Costello.

Dy boksierët veteranë u ndeshën në maj të vitit 2015, ndërsa meçin e fitoi amerikani i pamposhtur me vendim unanim të gjyqtarëve.

Meçi ndërmjet tyre ishte etiketuar si “duel i shekullit”, ndërsa tifozët do të dëshironin t’i shihnin sërish në ring.

Filipinasi triumfoi këtë fundjavë kundër Adrien Broner, ndërsa Mayweather ishte i pranishëm në Las Vegas për ta shikuar duelin nga afër.

Pacquiao e ka ftuar rivalin e tij të vjetër që të zhvillojë një rimeç, në mënyrë që t’i hakmerret për humbjen e pësuar.

“I thoni të kthehet në ring dhe të ndeshemi. Do të doja të ndeshem sërish me Floyd Mayweather – nëse është i gatshëm t’i kthehet boksit”, ka deklaruar Manny për Showtime.

Ndërsa pasi e ka analizuar gjithë situatën, Mike Costello beson se Pacquiao e ka në plan të bëjë gjithçka për ta realizuar rimeçin me Mayweather.

“Ai tha se është i hapur për rimeçin me Floyd Mayweather. Mayweather fitoi kur ata u ndeshen në vitin 2015, ndoshta është dashur të ndesheshin më herët”, është shprehur Costello për Radio 5Live.

Më pas, gazetari i BBC Radio 5 Live, Jonathan Overend, e ka pyetur se a e parashikon se një rimeç mund të ndodhë në një të ardhme të afërt.

“E parashikoj dhe mendoj se do të ndodhë gjatë këtij viti. Dua të them, dueli i vitit 2015 gjeneroi 60 milionë dollarë (53 milionë euro) dhe duke folur me njerëzit e boksit, si Bob Arum, promovuesin e madh, i cili ishte në Londër në javën e kaluar, ai tha se nuk do të jetë e madhe si herën e parë, por do të jetë një përbindësh”, ishte përgjigja e komentatorit Costello.