Në Rezallë të Skenderajt, të shtunën më 9 tetor u rivarrosën mbetjet mortore të shtatë personave, që u vranë në luftën e fundit në Kosovë më 1998-99.
Mbetjet mortore të këtyre shtatë viktimave u gjetën në varrezën masive në Kizhevak të Serbisë. Disa mbetje mortore të dy viktimave ishin gjetur më herët në Rudnicë të Serbisë dhe iu bashkuan mbetjeve të tjera mortore që u gjetën në Kizhevak.
Rivarrimi i shtatë viktimave u bë pasi Instituti i Mjekësisë Ligjore bëri ekzaminimet e nevojshme. Ceremonia e varrimit u organizua nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur dhe nga Komuna e Skenderajt.
Mbetjet mortore të shtatë viktimave civile shqiptare u kthyen në Kosovë më 30 shtator dhe ato iu dorëzuan autoriteteve të Kosovës në pikëkalimin kufitar në Merdare.
Në ditën kur u kthyen mbetjet mortore, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi nga Merdarja se masakra e Rezallës “është një nga dëshmitë e gjenocidit të Serbisë në Kosovë”.
Viktimat ishin nga fshati Rezallë, ku më 5 prill të vitit 1999, në masakrën e kryer në këtë fshat u vranë 98 persona.