Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se vendimi për vazhdimin e masave emergjente është marrë, duke marrë parasysh se po pritet të përkeqësohet moti në ditët e javët në vijim e do të ulen temperaturat.
Rizvanolli ka thënë se paralajmërimet e saj nuk duhet interpretuar se do të ketë reduktime. Por, thotë se çmimet e energjisë në bursat ndërkombëtare pritet të rriten.
Rizvanolli ndërkohë ka treguar se sa parashikon që të importohet energji gjatë periudhës janar-mars të këtij viti.
“Ne kemi disa parashikime, për periudhën nga janari deri 15 mars, që është periudhë kritike e dimrit, kemi paraparë se do të na nevojiten të importojmë 300 gigavat në orë. Por, nga ana tjetër, gjatë kësaj periudhe po shfrytëzojmë energjinë e deponuar në Shqipëri. Shfrytëzimi ka shkuar mirë gjatë javëve të kaluar, kemi edhe rreth 70 gigavat orë”, ka thënë Rizvanolli.
Rizvanolli ka falënderuar qytetarët për kursim të energjisë elektrike gjatë kësaj periudhe.
Po ashtu ka folur edhe për pagesën e rrymës në veri e për çështjen e ndalimit të mihjes kriptovalutave.
“KOSTT gjatë kësaj periudhe ka akumuluar borxhe e kanë ardhur fatura që më pas vinë edhe me interesa nëse nuk paguhen me kohë. Po flasim për periudhë gusht deri nëntor. Flasim për fatura gusht e shtator, kanë qenë të parapara të paguhen. Janë shtuar edhe tetori e nëntori, duke qenë se faturat kanë ardhur e ishte periudhë në të cilën diskutimet po vazhdonin mes KEDS e Elektroseverit. Por, kjo nuk është zgjidhje. Ne jemi duke shqyrtuar të gjitha mundësitë për të gjetur zgjidhje që mundësojnë faturimin e fillimin e pagesës së qytetarëve të asaj pjese”, tha Rizvanolli.
E për ndalimin e mihjes së kriptovalutave ajo ka thënë se kjo ka ndikuar në uljen e shpenzimeve të energjisë.
“Ndalimi i mihjes së kriptovalutave nuk është diçka e re. Që nga viti i kaluar me masa emergjente, për aq kohë sa kanë qenë, ky ndalim ishte në fuqi dhe shfrytëzoj rastin ta falënderoj Ministrinë e Punëve të Brendshme e Policinë e Kosovës që ka bërë punë të mirë për ndalimin e këtij aktiviteti, aktivitet veçanërisht që është zhvilluar në veri, për shkak të situatës me energji elektrike atje”, ka thënë Rizvanolli.
Rizvanolli ka thënë se gjatë këtij viti parashihen investime deri 50 milionë euro për energji efiçente.