Fjalë Kyçe

Rizvanolli: ‘Trepça’ është vjedhur e zhvatur, mbetjet iu shitën paligjshëm e tokat iu uzurpuan

Rizvanolli: ‘Trepça’ është vjedhur e zhvatur, mbetjet iu shitën paligjshëm e tokat iu uzurpuan

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka dalë me një reagim lidhur me situatën në minierën Trepça, pas raportimeve për keqmenaxhim. Sipas saj, në Trepçë janë investuar mbi 100 milionë euro që nga paslufta, por që nga 2008-a s’ka pasur asnjë investim serioz.

Ajo shkroi në Facebook se ky institucion është vjedhur e zhvatur, e shumë pajisje janë “avulluar”, ndërsa “mbetjet e vlefshme u shitën për vlera qesharake, e në mënyrë të paligjshme”.

“Dhjetëra prona të paluajtshme të ‘Trepçës’ u lejuan të uzurpohen me dekada nga operatorë të ndryshëm. ‘Trepça’ nuk kishte rregullore të punës, rregullore për menaxhim të pronës, e pothuajse për asgjë tjetër, sepse kështu ishte në interes të atyre që e kanë vjedhur e zhvatur Trepçën pamëshirshëm e në mënyrë të paskrupullt ndër vite”, shkroi Rizvanolli.

“Të thuhet se faktor është keqmenaxhimi apo mospuna është jo vetëm gënjeshtër, por edhe ofendim për të gjithë ata minatorë, teknikë, inxhinierë e udhëheqës të tyre që po punojnë ditë e natë për të sanuar situatën, e të cilëve ju jemi pafundësisht falënderues”.