Fjalë Kyçe

Robben bekon 19-vjeçarin: Është pasardhësi im

Robben bekon 19-vjeçarin: Është pasardhësi im

Bayern Munich është afër marrëveshjes me talentin 19-vjeçar të Chelseas, KalumHodson-Odoi.

Ylli i skuadrës “bavareze”, Arjen Robben, ka folur për herë të parë rreth këtij operacioni duke lavdëruar lojtarin, që me shumë mundësi do të jetë zëvendësuesi i tij.

“Nëse të vjen një mundësi kaq e mirë, atëherë duhet ta shfrytëzosh”, u shpreh holandezi. Sipas tij, adoleshenti që luan për Chelsean është nga më të talentuarit për moshën që ka.

“Ai është një nga lojtarët më të mirë në botë për moshën e tij. Një vlerë që do t’i shtohej Bayernit”.

Roben deklaroi muajin e kaluar se do të largohet përfundimisht nga Bayerni në fund të sezonit.

“Bavarezët” janë hedhur në sulm për të gjetur një lojtar që do të plotësojë boshllëkun e lënë nga holandezi, edhe pse operacioni për të marrë shërbimet e anglezit nuk do të jetë i lehtë. Gjermanët janë shprehur se janë të gatshëm të paguajnë 35 milionë paund për Odoin, duke biseduar direkt me lojtarin.

Diçka e tillë nuk i ka pëlqyer skuadrës së Chelseas, e cila me anë të trajnerit italian, Mauricio Sarri, ka akuzuar direkt skuadrën më të titulluar në Gjermani për mungesë profesionalizmi nga ana e tyre. Kjo, pasi rregullorja e FIFA-s sipas londinezëve parashikon qartë që, nëse një palë është e interesuar për të firmosur me një lojtar, atëherë kjo palë duhet të marrë leje për të filluar negociatat. Gjë që sipas tyre nuk është bërë nga “bavarezët”.

Gjithsesi, Bayerni nuk duket se do të heqë dorë nga lojtari dhe do të tentojë që ta bëjë të tijin që në muajin janar. Drejtuesit e skuadrës gjermane, me në krye drejtorin sportiv, Hasan Salihamixhiç, kanë shprehur publikisht interesin për lojtarin dhe se objektivi është blerja e tij përfundimtare në janar. Hënes dhe Rumenige kanë dhënë aprovimin e tyre për këtë operacion, që së fundmi është pëlqyer edhe nga Arjen Robben.