Fjalë Kyçe

Robert Jarni shkarkohet nga pozita e trajnerit të Kroacisë U-17 pasi bëri tifo kundër klubit kroat në Evropë

Robert Jarni shkarkohet nga pozita e trajnerit të Kroacisë U-17 pasi bëri tifo kundër klubit kroat në Evropë

Robert Jarni është shkarkuar nga pozita e selektorit U-17 të Kroacisë pasi e tha publikisht se do të bëjë tifo për klubin spanjoll, Real Betis kundër kampionëve kroatë, Dinamo Zagreb në ndeshjen e sontme të Ligës së Konferencës.

55 vjeçari i kishte zhvilluar 98 ndeshje me Betisin në periudhën 1995-1998, ndërsa në intervistë tha se do ta mbështesë ish-klubin e tij kundër Dinamo Zagrebit.

Dhe, kjo menjëherë ngjalli reagime në Kroaci, ndërsa futbollisti i Dinamo Zagrebit dhe i Kroacisë, Bruno Petković tha në konferencë për shtyp dje se Jarni ishte një “palaço” pas deklaratës së këtij të fundit për të bëtë tifo kundër një klubi kroat në Evropë, shkruan “Gazeta Express”.

E sot në mëngjes, Federata Kroate e Futbollit njoftoi se e ka shkarkuar Jarnin për komentet e tij.

“Me vendim anonim të Komitetit Ekzekutiv të Federatës Kroate të Futbollit, Robert Jarni është liruar nga detyra e tij e trajnerit të Kroacisë U-17 për shkak të deklaratave të pahijshme të bëra në media. Pasi u vërtetuan deklaratat e Jarnit për të bërë tifo për Betisin në ndeshje me përfaqësuesin kroat Dinamo në një garë të UEFA-s, u vendos që Jarni nuk mund të mbetet në ekipin e të rinjve të Kroacisë”, shkruan fillimisht në komunikatën e Federatës Kroate të Futbollit.

“Komiteti Ekzekutiv e mbështet të drejtën e çdo individi, përfshirë këtu futbollistët, lojtarët e Kombëtares, trajnerët, por të bësh tifo kundër klubeve kroate në Evropë, kjo gjë nuk konsiderohet e dëshirueshme. Federata Kroate konsideron se kjo sjell mesazhe ekstreme negative. Federata ka respekt të madh për çdo kontribut të Robert Jarnit në ekipin kombëtar dhe për këtë i është dhënë mundësia që ta drejtojë ekipin e të rinjve të Kroacisë për herë të dytë”, vazhdon komunikata.

“Fatkeqësisht, në këtë rast, ai e kaloi linjën e pozicionit të tij dhe Federata e konsideron të papranueshme. Trajnerët duhet ta promovojnë bashkimin, bashkëpunimin, respektin dhe besimin e ndërsjellë ndaj krejt klubeve kroate. Federata konsideron se vendimi është korrekt për ta mbrojtur unitetin e familjes kroate të futbollit”, përfundon komunikata e Federatës Kroate të Futbollit.