Robin (Haxhi) Krasniqi do të ngjitet sonte në ring, nëntë muaj pas meçit të fundit të cilin e zhvilloi në Kosovë.
Boksieri nga Kosova do të përballet me portugezin, Jorge Silva, shkruan Gazeta Express.
Ky meç do të zhvillohet në “Neue Sporthalle”, në Augsburg të Gjermanisë – teksa pritet të fillojë rreth orës 23:00.
Përballja mes tyre është e planifikuar për 10 raunde.
Meçi nuk është i vlefshëm për ndonjë titull në boks apo kualifikim për ndonjë titull, teksa i takon kategorisë gjysmë të rëndë.
Për Krasniqin do të jetë ky meçi i 61-të në boksin profesionist. Ai ka 53 fitore dhe shtatë humbje. 20 prej fitoreve i ka arritur me nok-aut.
37-vjeçari meçin e fundit e kishte zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”, ku kishte triumfuar ndaj Nadjib Mohammedi, në një meç që ishte shoqëruar me polemika të shumta.
Në anën tjetër, 40-vjeçari nga Portugalia i ka 22 fitore dhe nëntë humbje në karrierë. 12 prej fitorve i ka me nok-aut.
Vlen të theksohet se sonte do të boksojnë edhe shqiptarë të tjerë si Granit Stein (Bylygbashi), Isuf Kelmendi, Kushtrim Tahirukaj e Atdhe Delijaj. Në total do të jenë nëntë meçe.
Mbrëmja e boksit është e organizuar nga vet ekipi i Robin Krasniqit