Fjalë Kyçe

Ron Raçi niset drejt Hajdukut të Splitit – talenti shqiptar gati për hapin e madh në Kroaci

Ron Raçi niset drejt Hajdukut të Splitit – talenti shqiptar gati për hapin e madh në Kroaci

Qendërmbrojtësi i talentuar shqiptar, Ron Raçi, është vetëm një hap larg një prej transferimeve më të rëndësishme në karrierën e tij të re.

Lojtari 22-vjeçar ka fluturuar sot (25 korrik) drejt Kroacisë për të finalizuar marrëveshjen me Hajduk Split, një nga klubet më të mëdha dhe me traditë në futbollin kroat dhe ballkanik.

I shoqëruar nga agjentët e tij, Lulzim Murtezaj dhe Adonis Arifi, si dhe ndërmjetësuesi Eros Grezda – ish-futbollist i njohur me eksperiencë në Kroaci – Raçi do të qëndrojë në Split gjatë ditëve në vijim për të përmbyllur të gjitha procedurat që lidhen me kalimin e tij te Hajduk.

Sipas burimeve të afërta të Telegrafit me lojtarin, Raçi do t’i nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore nesër në orët e para të mëngjesit.

Nëse kalon me sukses kontrollet rutinë, klubi do ta prezantojë atë zyrtarisht si përforcimin më të ri për sezonin e ri kompetitiv në HNL (liga elitare kroate).

Transferimi i Ron Raçit te Hajduk Split vjen si rezultat i një pune të kujdesshme nga përfaqësuesit e tij, që kanë negociuar me drejtuesit e klubit kroat prej disa javësh.

Ky lëvizje pritet të jetë një hap i madh për zhvillimin profesional të 22-vjeçarit, i cili tashmë po shihet si një nga emrat më premtues në mesin e brezit të ri të futbollistëve shqiptarë.

Kalimi në një ambient si Hajduk Split, që njihet për historinë e tij të lavdishme dhe për përgatitjen e talenteve për futbollin evropian, është një mundësi që mund t’i hapë dyert drejt skenave më të mëdha të futbollit ndërkombëtar.