Fjalë Kyçe

Rrëfim rrëqethës: 3-vjeçarja viktimë, rreth 10 meshkuj dhunohen çdo vit në Kosovë

Rrëfim rrëqethës: 3-vjeçarja viktimë, rreth 10 meshkuj dhunohen çdo vit në Kosovë

Se një vajzë apo djalë u ngacmua apo u dhuna seksualisht raportohet pothuajse çdo ditë në Kosovën. Rastet e tilla po bëhen të ditur çdoherë e më shumë, pavarësisht se në të vërtetë mund të jenë edhe më shumë sesa raportohen.

Qindra qytetarë të Kosovës çdo vit përjetojnë tmerrin e marrëdhënies seksuale pa dëshirë. Dhunuesi nuk pyet moshë, e trauma nuk ka periudhë të caktuar kohore, shkruan lajmi.net

Me historitë e trishta e shumë viktimave të dhunës seksuale përballet mjekja ligjore, Bergita Curri.

Në kuadër të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, ajo ka bërë ekzaminimin e qindra personave që ishin pre e dhunës seksuale.

Fatkeqësisht shifrat e rasteve të tilla janë shqetësuese. Brenda një viti në këtë institut ekzaminohen rreth 100 raste, të cilat fillimisht raporton në Policinë e Kosovës.

“Kryesisht ne kemi rreth 100 raste në vit. Në vitet paraprake, në vitin 2014 kanë qenë 79 raste, por pastaj kemi parë një rritje që shkon 96 raste, varësisht prej vitit në vit. Ne shpresojmë që në vitet në vijim ky numër do të vijë duke u rrit sepse ky është numër shumë i vogël dhe kjo ndodhë jo vetëm në Kosovë, por gjithku në botë që dhuna seksuale është ndër krimet më pak të raportuara”, tha ajo për lajmi.net.

Kryerësit e kësaj vepre po del të mos kenë limite moshe. Kjo ka bërë që në vendin tonë të regjistrohet edhe një 3 vjeçare viktimë e dhunimit seksual.

“Grupmosha më e prekur është prej 11-16 vjeç. Pavarësisht se ne kemi viktima që janë regjistruar, mosha më e vogël është 3-vjeç e deri mbi 60-vjeç. Grupmoshat e personave shkollor, të themi shkollat e mesme janë më të prekur. Grupmosha e dytë që rezulton më e prekur është prej 21 deri në 30-vjeç dhe jo siç kemi prit që do të jenë 17-20 vjeç, ata janë të tretët në radhitje”, shtoi ajo.

Vajzat dhe gratë konsiderohen më të rrezikuarat për të qenë viktimë e dhunës seksuale, në një shoqëri kur këto raste janë pjesë e raportimeve ditore. Por, kjo dukuri nuk njeh ndarje gjinore, pasi dhjetëra meshkuj brenda vitit janë viktimë e kësaj dhune.

“Nga përvoja ime personale mund të tregoj se kemi pas edhe fëmijë të mitur të dhunës seksuale, që kanë qenë meshkuj, por edhe të moshave të mesme, mbi 30 dhe 40-vjeç. Brenda vitit 2016 kanë qenë 78 femra dhe 7 meshkuj, ndërkaq në vitin 2015 kanë qenë 83 femra dhe 13 meshkuj. Trendi është aty diku, rreth 10-15 meshkuj në vit janë viktima të dhunës seksuale. Dhuna seksuale nuk e kursen askë dhe mund të jenë të prekur të gjithë”, tregoi Curri për lajmi.net.

Femër apo mashkull, në moshë të re apo të moshuar, gjendja emocionale dhe psikologjike e të gjitha viktimave shkojnë për ekzaminim konsiderohet tejet e rënduar.

Instituti i Mjekësisë Ligjore, me 8 mjekë dhe dy infermierë të specializuar për trajtim të viktimave të dhunës seksuale, gjatë 24 orëve është në gatishmëri për ekzaminimin e këtyre rasteve, të cilat vijnë nga pjesë të ndryshme të Kosovës.

Procedura që këto njerëz duhet t’i kalojnë mund të jenë rënduese për ta.

“ Në Institutin e Mjekësisë Ligjore viktima nuk mund të vijë të bëjë ekzaminimin me vetë dëshirë, por duhet të kalojë nëpër procesin e raportimit në polici, pastaj lëshohen urdhëresa nga prokurori për ekzaminim mjeko-ligjor dhe pastaj vjen viktima nën përcjellje të policisë, nëse ka nevojë të jetë punëtori social, mbrojtësi i viktimës ose cilido zyrtar tjetër që ka nevojë të jetë me viktimën, vijnë në institut dhe ne e bëjmë ekzaminimin. Në fillim të ekzaminimit është e obligueshme që viktima apo kujdestari ose prindi të jap pëlqimin për ekzaminim. Ne nuk bëjmë ekzaminimin asnjë viktimë nëse ajo nuk dëshiron të ekzaminohet dhe pa pëlqimin e shkruar dhe të informuar ne nuk e bëjmë ekzaminimin. Nëse viktime ose organi i kujdestarisë e jep pëlqimin, atëherë kalojmë në pjesën tjetër, që është marrja e historikut, ekzaminimi objektiv i gjithë trupit të viktimës dhe po ashtu edhe marrja e provave biologjike, të cilat do të shërbejnë si provë në gjykatë”, deklaroi mjekja ligjore Bergita Curri.

Gjatë ekzaminimit nuk kërkohet ndonjë lëndim specifik si tregues se ndaj viktimës është shtuar dhunë seksuale. Kjo pasi një e tillë nuk ekziston. Këtu bëhet vërtetimi i ekzistimit të marrëdhënies seksuale, ndërsa deklarimi se është bërë pa dëshirë shtyn përpara procesin e ushtrimit të dhunës seksuale.

“Duhet të bëhet dallimi. Ajo që e bënë ligjërisht dallimin është pëlqimi. Është shumë e rëndësishme që popullata me kuptu që nuk ka lëndim të caktuar apo dëshmi të caktuar që tregon dhunimin. Duhet të jenë disa pjesë që gjykata të merr vendimin që ka qenë dhunë seksuale apo jo. Ne nuk mund ta përcaktojmë a ka qenë dhunë seksuale apo jo. Nuk e përcakton mjeku, e përcakton gjykata. Por, një element i rëndësishëm është pëlqimi”, shtoi ajo.

Nga e gjithë kjo, e rëndësishme është gjetja e dëshmive biologjike. Por, që nga frika, paniku dhe nga mungesa e njohurive viktimat edhe i humbin këto gjurmë.

“ Problemi është se ne, në shumë raste nuk arrijmë të sigurojmë prova biologjike dhe ajo ndodhë sepse viktima nuk raporton me kohë. Nëse rasti raportohet në 72 orët e para, por me kusht që të mos pastrohet viktima, mendohet se shkencërisht mund të gjenden dëshmi në trupin e viktimës. Nëse pastrohet viktima provat do të shkatërrohen edhe pas dy orëve. Ajo ka qenë arsyeja pse ne e kemi ndërmarrë fushatën ‘Ma thuaj me kohë’. Është shumë e rëndësishme që viktima pas rastit të mos pastrohet sepse i shkatërron të gjitha provat, të cilat do të jenë shumë të vlefshme në gjykatë. Prova për prezencën e ADN-së së një personi në trupin e viktimës është e pakontestueshme, ka besueshmëri deri 99.9%”, tha Curri.

Si pasojë e kësaj, vetëm në vitin 2017 ka rezultuar se 72% e viktimave nuk kanë pasur gjurmë biologjike të dhunës seksuale.

Çdoherë gjatë ekzaminimit viktimat tregojnë edhe për dhunuesin. Ai, në të shumtën e rasteve del të jetë person i njohur, duke filluar nga prindi, shoku, stafi shkollor, kolegu e pa përjashtuar asnjë kategori.

“Në të shumtën e rasteve dhunuesi është person i njohur. Nga statistikat rezulton që në vitin 2014 prej të gjitha rasteve 81% e dhunuesve kanë qenë të njohur për viktimat. Ky është një trend që i përcjell të gjitha vitet me radhë. Në shumicën e rasteve dhunuesi është i njohur, por edhe nëse nuk është i njohur, padyshim që ato arrijnë të identifikojnë dhunuesin. Nuk mbaj mend ndonjë rast kur dhunuesi ka qenë i maskuar ose i fshehur aq sa viktima të mos dijë ta përshkruaj”, tha ajo.

Bazuar në këtë edhe vendi ku kryhet akti kriminal në shumë raste janë të njohura. Shtëpi, banesa, hapësira të hapura apo kudo janë vende që ngulisin përjetimin më të keq jetësor për këta persona.

“Rezulton që shtëpitë janë vendet ku ndodhin dhunimet më së shpeshti, qoftë shtëpia e viktimës, e dhunuesit apo ndonjë shtëpi tjetër e marrë me qira, ndonjë banesë ose shtëpi e pa banuar. Është interesante se grupmosha më e prekur është ajo shkollore, por shkolla na rezulton vendi me më së paku raste të ndodhura. Ndoshta ka shumë raste që ndodhin në shkollë, por nuk raportohen. Në vitin 2015 ka qenë vetëm një rast që ka ndodhur në shkollë, në vitin 2016 kanë qenë dy dhe ka vite që asnjë rast nuk ka ndodhë në shkollë. Po ashtu, të tretat në radhitje nga shpeshtësia është kur vendi i ngjarjes është i panjohur”, shtoi mjekja, Curri për lajmi.net.

Frikë, brengë, shqetësim dhe në disa raste ndjenjë faji bartin mbi vete këta njerëz që fati i përballi me tmerrin. E, disa shkojnë edhe më larg, deri në tentimin për kryer vetëvrasje.

“Unë kam pas raste kur viktima përpara meje ka deklaruar që nëse merret vesh, unë do të bëjë vetëvrasje ose kam menduar vetëvrasjen. Ndërkohë që vijnë pasi kanë pirë ndonjë ilaç, substancë e shkojnë në emergjencë dhe pastaj policia e merr vesh çka ka ndodhë, d.m.th tek pas kanë tentu vetëvrasjen merret vesh për rastin e dhunës seksuale. Ne kemi shumë raste të tilla, por që nuk kemi ku t’i raportojmë dhe pastaj mbetet që viktima të zgjidhjen vetë dhe të gjejë përkrahjen përmes familjes. Ne mbetemi gjithmonë me dyshimin se çfarë ndodhi me atë viktimë”, tregoi Curri.

Pavarësisht gjendjes së rënduar të viktimave dhe familjarëve të tyre, ata nuk e kanë një adresë se ku mund të kërkojnë psikologjike, pasi në Kosovë nuk ka një qendër të caktuar për trajtimin e tyre. Kjo bën që pas ekzaminimit nga mjekësia ligjore, të gjitha viktimat e dhunës seksuale të mbesin në mëshirën e fatit./