Fjalë Kyçe

Rrëfim tronditës/ Me dy plumba në trup, ish-ushtari i UÇK-së i rrethuar nga forcat serbe futet tinëz për tu operuar

Rrëfim tronditës/ Me dy plumba në trup, ish-ushtari i UÇK-së i rrethuar nga forcat serbe futet tinëz për tu operuar

Në emisonin e pestë n’Demos ka qenë i ftuar, ish-pjesëtari i UÇK-së, Naim Lushi, i cili ishte plagosur nga forcat serbe gjatë luftës.

Lushi ka rrëfyer se si e kishin planifikuar shokët e tij, dërgimin në spital, me qëllim që të mos kuptohej se ai ishte ushtar i UÇK-së.

“Për të më dërguar në spital u përpunu një plan i shpejtë. Spitali i Pejës kontrollohej tërsisht nga forcat serbe, ku kishte shumë të plagosur serbë. Gjasat ishin më shumë që unë të vdisja sesa të shpëtoja. Shokët kishin shkuar në shtëpi e kishin marrë familjen dhe pastaj bëhet një lloj kamuflimi që familjaret e mi të më dërgojnë në spital si një rast civil. Në spital më derguan me një makinë të cilën na i dha i ndjeri Nexhat Dragaj. Kur u futem brenda te porta e spitalit në barelën në të cilën isha unë i vendosur, mbahej nga Afrim Çeku dhe nga axha im Ramiz Lushi, nëna ime ishte pranë tyre. Në pytjen e parë që pyeten se si ishte plagosur, u thanë se e ka shpërthyer kau”, deklaroi Lushi.

Mes rrëfimit të tij emocionues, ish-pjesëtari i UÇK-së, Naim Lushi rrëfen se si e kuptuan forcat serbe që ai bënte pjesë në Ushtrinë Çlirimtare, dhe nuk ishte civil, ashtu siç ishte deklaruar tek ata.

“Operimi nuk mund të kryhej pa një fotografim. Në rengen punonte një serb, në momentin kur është kryer fotografimi e ka parë që unë isha i plagosur, sepse dy plumba më kishin mbetë në trup. Dhe aty u kuptua gjithçka.” ka potencuar Lushi.

Ai ndër të tjera ka tregur se pas kryerjës së operimit të tij, u shtuan forcat serbe që e rrethonin spitalin e Pejës.