Fjalë Kyçe

Rrëfime të trishtueshme të të mbijetuarve të masakrës në Poklek e Çikatovë

Rrëfime të trishtueshme të të mbijetuarve të masakrës në Poklek e Çikatovë

Çdo ditë ecin në gjurmët që lanë më të afërmit e tyre. Shohin vendin ku u masakruan, e u djegën dy herë, për më tepër kanë dëshmitë edhe të gjërave që lanë përreth, të gjakut në muret e shtëpisë ku ndodhi masakra.

Kujtimet e familjarëve, dëshmitarëve dhe të mbijetuarve janë të freskëta për ditën e tmerrshme të 17 prillit në Poklek dhe Çikatovë të Drenasit.

Ata kanë parë vrasje, masakra, janë dëshmitarë, por nuk po mjafton për vendosjen e drejtësisë. Serbia asnjëherë nuk ka kërkuar falje për këto masakra.

Derisa gjaku nuk është tharë ende në muret e shtëpisë ku ndodhi masakra më e madhe, po shpresohet për ndëshkimin e kriminelëve serbë. Shtëpia në fshatin Poklek është kujtim i rëndë për banorët e kësaj ane.

Më së rëndi e përjeton Leutrim Caraku, i cili ishte nëntëvjeçar kur u vranë 53 civilë shqiptarë. Për më tepër pa masakrimin e nënës, vëllezërve dhe bashkëfshatarëve.

“Në atë moment e kam pa që mu kanë gju shumë trupa përmbi, më kish hup vetëdija. Pas se di save më dul pak, e hapesha njërin sy, e shihesha atë duke gjuajtur, shkelke me kallash, shikojke a i ka mbyt krejt. Unë e kisha pas kokën e vëllaut në këtë pjesën këtu, e preka, gjaku i tij më kish pas mbuluar krejt. Edhe ai ka gjuajtur derisa ja ka marrë mendja që i ka mbyt krejt, i ka shkel. Edhe janë dal prej këtu kanë shkuar ku kanë qenë të vendosur krejt. U zgjua Lumja, ajo është gjallë bashkë me Arbeniten, ka thënë kush është gjallë qohuni. Jam zgjuar unë, ka pasur të gjallë por nuk kemi mundur t’i nxjerrim. Ka qenë djali i axhës i plagosur në këtë pjesën këtu, po ai kish pas shumë trupa sipër, u mundoheshim të nxjerrim me Lumen po nuk mujshim”, rrëfen ai.

Nëntëvjeçari, në atë kohë, kujton mirë se si ishte munduar të shpëtojë edhe bashkëfshatarë të tjerë, e që disa të tjerë kërkonin edhe ujë, por nuk kishte mundësi t’i ndihmonte.

“ Unë në atë kohë fillova e kërkoja nënën, se nuk e pash hiç. E lypsha ku është, jemi hy edhe një herë me këqyr. Lumja tha duhet me dal prej këtu se mos po vijnë ata. Ne jemi dalur prapa shtëpisë, tani janë ardhur ata e i kanë djegë këtu kufomat”, shton ai.

Thotë se është i dëshpëruar se si ende pas sa kohësh nuk është vendosur drejtësia për më të dashurit e tij dhe fshatarët e tjerë.

Për këtë nuk ka as edhe një fije shpresë as edhe Fadil Muqolli, pronar i shtëpisë ku ndodhi masakra.

“Asgjw s’është bërë, drejtësi në Kosovë veç në letër ka. 22 vjet janë bërë, asnjë prokurorë, asnjë gjykatës, asnjë hetues në këtë vend nuk ka qenë. Këso masakre familjare në Kosovë nuk ka masakër më të madhe. Se anëtarët e një familje, baba me katër vëllezër i ka të vrarë këtu 33 persona. Është formuar një gjykatë për krime lufte, këtu një departament që 4 vjet ka 250 ditë pune nëse i bëjnë është 1000 ditë. A kanë mundur të vijnë për t’i evidentuar, me i marrë në pyetje dëshmitarët se po ndërrojnë jetë përditë edhe me i lenë në sirtarë. Këtë kanë mundur ta bëjnë… Asnjë fije shprese nuk e kam për këtë vend, asnjë fije. Jam i zhgënjyer thellësisht”, thekson ai.

Fjalë më të mira nuk ka as për drejtësinë ndërkombëtare, që sipas tij po bëjnë shkelje të madhe. Muqolli ende jeton me kujtimet e 13 anëtarëve të familjes.