Fjalë Kyçe

Rrëfimi final i Maradonës para mjekut personal: Edhe sa duhet të duroj?

Rrëfimi final i Maradonës para mjekut personal: Edhe sa duhet të duroj?

Mjeku personal i Diego Maradonës, Leopoldo Luque, ka thënë se legjenda argjentinase ishte rrëfyer para tij për vuajtjet e mëdha para se të vdiste nga sulmi në zemër javën e kaluar në shtëpinë e vet.

Polemikat rreth vdekjes së Maradonës po vazhdojnë në Argjentinë edhe një javë pas shuarjes së tij. Por askush nuk ka mbetur më i tronditur se mjeku i tij personal Luque, shtëpia e të cilit është bastisur nga policia, transmeton Gazeta Express.

Luque është detyruar të flasë publikisht pas akuzave për neglizhence ndaj ikonës së Napolit dhe e ka pranuar se Maradona i kishte folur për vuajtjet e mëdha.

Luque këmbëngul se kishte bërë gjithçka në mundësitë e veta për t’i ndihmuar Maradonës të jetojë. Luque e operoi në tru Maradonën, por gjendja shëndetësore e tij u përkeqësua deri në një sulm fatal në zemër i cili ia mori jetën.

Ai doli të flasë para mediave të hënën, pas hetimeve që kanë nisur kundër tij.

“Në një çast Maradona më tha: ‘Sa gjatë dëshironi të duroj unë këtu doktor? Kam vuajtur mjaft shumë tashmë’. Mendoj se Diego, në fund, e dorëzoi luftën, ai ishte shumë i trishtuar”, tha Luque.

“Ai po e ndëshkonte veten në një mënyrë që unë, si mik i tij, nuk do ta lejoja”, shtoi ai.