Gramoz Berisha është një prej tre të mbijetuarve të masakrës mbi Familjen Berisha nga Suhareka që ka ndodhur 20 vjet më parë, në 1999.
Në kohën kur ka ndodhur masakra mbi familjen 51 anëtarëshe, Gramozi ka qenë tetëvjeçar. Ai bashkë me të ëmën e tij, Vjollcën, dhe gruan e axhës, Shyhreten, kanë mbijetuar.
“Është shumë e vështirë, por po mundohemi që ta përballojmë dhimbjen. Po mundohemi ta tregojmë atë që ka ndodhur”, ka thënë Berisha për Info Magazine.
“Kanë kaluar 20 vjet, s’po duam të besojmë se ka kaluar kjo kohë, sepse malli dhe mërzia janë më të mëdha. Por, duhet t’i përballojmë të gjitha”, ka theksuar ai.
Në rrëfimin e tij për ngjarjen e dy dekadave më parë, ku u masakruan barbarisht 48 anëtarët e familjes së tij të ngushtë dhe anëtarë të farefisit, Berisha ka treguar me detaje ngjarjen, edhe pse atëkohë kishte qenë vetëm tetë vjeç.
“Më 26 mars të vitit 1999, diku rreth orës 12:00, kemi qenë me familjen e ngushtë dhe familjet e axhallarëve kur erdhën forca të shumta policore. Erdhën dhe na thanë se duhet të dalim të gjithë jashtë.
Thanë se burrat duhet të ndalen në oborr, kurse për gratë dhe fëmijët thanë: ‘Ecni për Shqipëri!’. Në momentin që jemi larguar, i kemi dëgjuar krismat e para. S’kemi guxuar ta kthejmë kokën pas, por vetëm kemi vrapuar nëpër rrugë të ndryshme. Gjatë rrugës u bashkuan edhe familjarë të tjerë”.
Ai ka rrëfyer se si u futën në një lokal afër objektit të Komunës së Suharekës, porse forcat serbe nuk i kursyen as aty.
“Është shumë e rëndë, sepse m’i kthen të gjitha kujtimet që i kam përjetuar në këtë lokal. Ky është vendi ku kam qenë edhe unë. Secili kemi qenë në qoshe të ndryshme. Kanë ardhë policia para lokalit, jemi shtri përtokë, kanë filluar gjuajtjet nga jashtë. Kanë gjuajtur me gjithçka, plumba e bomba”.
“Mami më ka mbuluar me xhaketën e babait. Jemi shtri përtokë. Ata nuk kanë kursyer pavarësisht moshës a gjinisë. Ju ka penguar zhurma e fëmijëve që qanin. Në një moment e kam ndje një dhimbje të madhe dhe e kam vërejt që po gjakos. Jam bërë sikur kam qenë i plagosur. U plagosa, por nuk lëviza. Tërë kohën kemi qëndruar të shtrirë përtokë. Gjuajtjet kanë vazhduar tërë kohën derisa s’ka lëvizë më askush. Pastaj kanë hyrë dhe kanë kontrolluar nëse dikush ka qenë gjallë kanë gjuajtur prapë”.
“Jam bërë si i vdekur”, ka thënë Gramoz Berisha në rrëfimin e tij.
“Kanë filluar secilin me radhë të na nxjerrin nga lokali. E kanë marrë Shyhreten [Gruaja e axhës së Gramozit] dhe Altinin [Djali i axhës]. e kanë vërejt se është gjallë dhe e kanë gjuajtur prapë. Më kanë kapur edhe mua, por për fat në krahun që s’isha i plagosur sepse do të reagoja. Jam bërë si i vdekur. Më kanë hedh në kamion me trupa të familjarëve të tjerë. Kamioni është nisë në drejtim të Prizrenit. S’kam guxuar të lëviz. Gjatë rrugës mami ka filluar të bisedojë me Shyhreten”.
“Nëna ma ka njohur xhaketën dhe ka thënë: ‘T’ia shoh fytyrën djalit’ – ka menduar se jam i vdekur. Kur më ka kthyer kah vetja i kam çelë sytë. Me ka thënë: ‘A je gjallë?’, iu kam përgjigjë me ‘Po’. Ka thënë se po kërcejmë, sepse do të na groposin. Ka kërcyer Shyhretja. Nëna më ka kapë mua dhe një djalë tjetër që ka qenë gjallë. Ai kërkoi ndihmë: ‘Ju lutem ma hiqni këtë trup përmbi, se s’po mund të marr frymë’. Ai nisi të bërtiste: ‘Dua të shkoj me mamin’. Ia kemi larguar trupin dhe ne pastaj kemi kërcyer. Kamioni ka qenë me shpejtësi të madhe. Zoti na ka dhënë forcë, jemi ngritë menjëherë. Kemi hyrë nëpër livadhe”.