Fotografia e shkrepur nga aparati i fotografit boshnjak të agjencisë Reuters, Damir Sagolj ishte ai që e ktheu Sherife Lutën nga Ivaja e Kaçanikut në simbolin e refugjatëve kosovarë të Bllacës së Maqedonisë 20 vjet më parë.
Sherife Luta atëherë ishte 22 vjeçare dhe mbante në gji vajzën e saj 6-muajshe, Besianën.
20 vjet pas atij tmerri, Sherifja ka rrëfyer ngjarjen, bashkë me vajzën e saj, tani të rritur.
“Ky fshat ka qenë krejt i djegur prej forcave serbe. Ne u detyruam ta lëmë fshatin e të dalim në mal. Bile s’kemi pasë kohë me marrë as gjërat, vec disa gjëra për vajzën dhe iu bashkangjitëm fqinjëve e dolëm në mal. I gjithë ky fshat ka qenë i rrethuar me serbë, si bubërreca. Kur kemi dalë, i gjithë fshati ka qenë i djegur, krismat s’janë ndalur kurrë atë natë që kemi ndejtë deri në mëngjes në mal, duke qenë të rrethuar. Kemi pritë që do të bëhet ndonjë masakër e madhe, por fati ka qenë se burri e ka pasë një telefon, ai telefon na ka shpëtu nga masakra” nis rrëfimin Sherifja.
Ajo tregon sfidat gjatë ikjes rrugëve për më shumë se një javë.
“Kur kemi shku afër tunelit, edhe atje na kanë kapë. Na kanë mbajtë 3 orë aty. Gratë i kanë nda veç, burrat veç, dhe aty ka pasë fëmijë. Ata u frigojshin kur i shihnin serbët me maska, trishtim ka qenë edhe aty. Na mbajtën aty 2-3 orë te Shtëpia e Kulturës në Kaçanik, edhe atje pastaj u shpërndamë nëpër shtëpia, ku mundeshim.
Atë ditë ka qenë 8 marsi kur kemi dalë prej shtëpisë. Ka qenë ftohtë, trishtim. Tamam kur dëgjonim krisma, na thonin me u largu me dalë në shtëpi tjetër. Prej asaj shtëpie shkonim në shtëpinë tjetër. Nëpërmes këtyre maleve kemi dalë për Bllacë”, tregon Sherifja.
Besiana kishte qenë duke u ngrirë, para se kunata e Sherifes ta fuste atë në furrë të shporetit në një fshat, përpara nisjes së radhës për në Bllacë.
“Në Gjurgjedell, para se me u nisë për Bllacë, vajza ka qenë në gjendje të randë. 2-3 orë s’ka pasë lëvizë, e zezë katran. Pastaj e kanë marrë e kanë shti në furrë të shporetit, 10 minuta e kanë mbajtë me e këqyrë a po qanë a jo. Kur ia ka nisë kjo me qajtë, atëherë krejtë ata refugjatë që kanë qenë kanë duartrokitë prej gëzimit që shpëtoi. Andej nëpër Gjurgjedell kanë dalë krejt refugjatët me përcjellje të ushtrisë tonë. 3 javë na pati ra me ndejtë rrugëve, s’kemi qenë kurrë rahat, sepse gjuanin, djegnin shtëpia. Ne ecshim por pëlumbat na shkonin përreth kresë. Kjo nja 10 minuta s’ka lëvizë. I mëshonim ne nga fytyra s’disa herë, por kjo hiç. Në atë moment mua më ka ra të fikët kur e kam pa çikën në atë gjendje, por kunata e ka marrë e ka shti në furrë të shporetit. Ai moment nuk harrohet kurrë”, rrëfen Sherifja e emocionuar.
Sherifja e mban në mend edhe momentin kur fotografi boshnjak ia bëri shkrepjen që më pas u bë imazh i luftës.
“Pas asaj jemi nisë me babën, me kunatën dhe me vjehrrën. Ka qenë një rrugë shumë e ngushtë, por banorët e Bllacës u dalshin në ndihmë refugjatëve. Dilnin me kuajë. Në Bllacë një djalë i mixhës ma ka marrë çikën e e ka çu në xhami me e kontrollu mjekët. Më thanë se e ka prej të lodhurës. Atje kishte fillu me iu ngri prapë trupi. E mbaj në mend, kur i jemi afru Bllacës, ka pasë kameramana, plotë. Donin me më ndalë edhe me folë, po unë s’kam mund. S’dojsha me folë se isha edhe e lodhur. Baba më thoshte ” Fol oj bijë, bile një fjalë qite prej goje”, por unë nuk munda me folë. Vec dojsha me ecë”
Sherifja thotë se do të fliste përpara kameramanëve e gazetarëve, po ta dinte se kjo foto do të kishte këtë kuptim tani.
“Po me pasë ditë që ka me mbetë kjo foto, një fjalë s’e kisha lënë pa e thënë”, thotë Sherifja.
Shtëpinë që ajo e braktisi me Besën në luftë, tash e vizitojnë disa herë. Rrugën që dikur e kishte bërë me lotë e frikë, ajo e përjeton ndryshe tani nën shoqërinë e së bijës, e cila tashmë është rritur.