Fjalë Kyçe

Rreth 13 mijë biznese në prag të falimentimit, OHT-ja i sheh protestat opsion

Rreth 13 mijë biznese në prag të falimentimit, OHT-ja i sheh protestat opsion

Përfaqësuesit e dy odave ekomomike, asaj të Hotelerisë dhe Turizmit dhe Odës së Afarizmit kanë raportuar të enjten në Komisionin për ekonomi. Nga aty kanë bërë thirrje për përkrahje të bizneseve të sektorit të hotelerisë dhe turizmit, pasi siç kanë thënë, janë në prag të falimentimit shkaku i masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Rreth 13 mijë biznese të sektorit të hotelerisë dhe turizmit janë në rrezik të falimentimit, shkaku i masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva, gjatë raportimit në Komisionin për ekonomi të enjten, ka thënë se shteti duhet të intervenojë në përkrahje të sektorëve që janë dëmtuar më shumë.

“Pa intervenuar diku mbi 1 miliard me këto biznese, nuk ka shans të rimëkëmbet. Është mirë që të gjenden forma që këto disi të realizohen, sepse prej 12-13 mijë bizneseve, do të mbesin rreth 5-6 mijë, dhe sa do të marrësh tatim nga to”, ka theksuar Sogojeva.

Sipas tij, nuk ka kuptim të vazhdohet me mbylljen e sallave të dasmave.

“Nuk ka më kuptim që të mbyllen sallat e dasmave. Është e tepërt. Ne ju garantojmë me pronarë që kanë biznese se kanë me iu përmbajt, sepse nëse nuk dalim me komunikatë, nëse nuk del dikush të thotë që ekziston mundësia që kjo pjesë të lëshohet, diasporën e ke të ndalur dhe diaspora ka filluar që të bëjë rezervimet në Shqipëri dhe Mal të Zi”, ka theksuar ai.

Me këtë janë pajtuar edhe kryetari i Komisionit, Ferat Shala, dhe deputeti i AAK-së, Pal Lekaj.

“Sa mund të organizohen në zona të bukura tipa të ndryshëm të dasmave dhe ahengjeve pikërisht për mërgimtarët tanë që do të jenë në masë të madhe. Sa jemi përgatitur që në këto rrethana pandemie t’u ofrojmë këtë”, ka theksuar Shala.

Ka shtuar se në kushte pandemie do të duhej që të kishte një plan se si të përdoren resurset natyrore, që njerëzit të mund të bëjnë shëtitje në kohë pandemie.

“Mundësia më e mirë është që në hapat e ardhshëm, qoftë në pjesën legjislative apo ekzekutive, të gjejmë pjesën më të mirë të mundshme. Ne jemi të hapur që të përgatitemi me kohë, pasi po hymë në një sezon që pavarësisht masave, numri i mërgimtarëve do të jetë i madh”, ka theksuar Shala.

Ndërsa, deputeti Pal Lekaj ka theksuar që duhet të përgatiten për ardhjen e diasporës.

“Mendoj se ne duhet të përgatitemi me diasporë, të mos e izolojmë vendin. E keni përmendur sa herë që vendimi i Qeverisë ad-hoc për 14 ditë mund të themi se mbi 1 milion euro humbje ka kushtuar”, ka theksuar Lekaj.

“Ne nëse na humbet edhe kjo verë, besoj që po shkojmë në ‘knockdown’ ekonomik. Nëse ne nuk mendojmë që 40 për qind apo 50 për qind të popullatës deri në qershor të mos vaksinohet, s’e di kush ia mësynë që të vijë këtu”, ka shtuar ai.

Në mbledhjen e Komisionit ka raportuar edhe kryetari i Odës së Afarizmit, Skënder Krasniqi. Ai ka kërkuar që të miratohen ligjet që kanë mbetur në rrugë, shkaku i shpërndarjes së Kuvendit.