Fjalë Kyçe

Rreth 2 mijë parafillorë dhuruan spektakël në Festivalin Sportiv Prishtina 2019

Rreth 2 mijë parafillorë dhuruan spektakël në Festivalin Sportiv Prishtina 2019

Stadiumi Fadil Vokrri në Prishtinë sot i ngjante një organizimi madhështor të një ceremonie hapëse të Lojërave Olimpike, shkruan GazetaAlo.

Rreth 2 mijë fëmijë dhuruan spektakël në Festivalin Sportiv për Parafillorët e Prishtinës, të cilët përjetuan emocionet që sjellin Lojërat Olimpike, ndërsa patën rastin të shfaqin talentin e tyre edhe në futboll dhe disiplina të ndryshme të atletikës.

Festivali i tillë i organizuar për herë të parë nga Komiteti Olimpik i Kosovës, mblodhi edhe mijëra prindër dhe tifozë në tribuna, si dhe figurat më të larta shtetërore dhe sportive në Kosovë, të cilët mbanin në duar fleta të bardha për të përçuar mesazhin e paqes. Festivali u organizua edhe për nder të Ditës Ndërkombëtare të Sportit për Zhvillim dhe Paqe.

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës në fjalën e tij, foli për Lojërat Olimpike Rio 2016, në të cilat Kosova debutoi me medaljen e artë Olimpike, falë xhudistes Majlinda Kelmendi.

“Jemi këtu sot të përjetojmë së bashku atë që e ka përjetuar ekipi Olimpik i Kosovës në RIO 2016. Ju ftojmë ju, fëmijë të dashur të përfshiheni në ndonjërin nga sportet që praktikohen në Kosovë! Prindërit i lusim, ashtu si i dërgoni fëmijet në shkollë, merrni për dore dhe dërgoni në njërin nga 1400 klubet në Kosovë, sepse sporti u mundëson fëmijëve të përvetësojnë 24 shkathtësi që nuk mund ta bëjë asnjë institucion tjetër! Me këtë Festival, po mbjellim farën e dashurisë ndaj sportit”, deklaroi presidenti Hasani.
Kryeparlamenari Kadri Veseli iu drejtua fëmijëve me fjalën kampion të ardhshëm të vendit tonë.

“Sporti është e ardhmja e Kosovës, do investojmë edhe më shumë në sport, në stadiume anekënd Republikës së Kosovës, si në basketboll, dhe të gjitha fushat e sportit. Ju jeni kampionët e ardhshëm të Kosovës, jeni pasardhësit e Adem Jasharit, pasardhësit kampiones Majlinda Kelmendi, ju jeni kampionët e Kosovës të futbollit, basketbollit, hendbollit dhe të gjitha fushave, për faktin se Kosova është e bekuar që ju ka juve, ju ruajt Zoti, urime kjo fushë dhe ju jeni kampionët, ju jeni të gjithë”, tha Veseli.

Hapjen zyrtare e bëri ministri për Kulturë, Rini e Sport, Kujtim Gashi.
Rreth 50 ekipe të institucioneve parafillore të kryeqytetit defiluan në stadium me flamuj në dorë. Më pas parakaluan fëmijët, të cilën endnin flakën Olimpike, kurse nuk mungoi edhe betimi i fëmijëve, mësuesve dhe gjyqtarëve.

Më pas, fëmijët patën rastin të shfaqin talentin e tyre në futboll, në të dyja konkurrencat, duke u ndarë ekipet në 16 fusha të vogla. Fëmijët tjerë shijuan vrapimin në atletikë në 25 dhe 50 metra. Disiplinat tjera të atletikës, që ishin mjaft joshëse për fëmijët ishin hedhja e gjyles me top të imituar, si dhe kërcimi.

Kontribut në argëtimin e fëmijëve dhanë edhe paragllajdistët e Federatës Aeronautike të Kosovës, ndërsa vullnetarët i dhanë ‘infuzion’ të madh organizimit.

I gjithë Festivali u transmetua drejtpërdrejtë në RTK dhe në rrjete sociale, falë sponsorit medial, Kosova Press. /GazetaAlo