Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka reaguar pas vendimit të Gjykatës së Apelit përmes së cilit ka anuluar dënimin me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Ferizajt, për Naser Pajazitajn, i cili ka vrarë bashkëshorten Donjeta Pajazitaj.
Sipas RrGK-së vendime si ky vetëm sa motivojnë dhunuesit e vrasësit të grave, kurse demotivojnë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë për t’i raportuar krimet dhe për të kërkuar drejtësi.
“Për më tepër, Rrejti i Grave të Kosovës (RrGK) rikujton se përveç Kodit Penal të Kosovës, edhe Konventa e Stambollit, e miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, kërkon nga institucionet e drejtësisë që të mbrojnë viktimat e dhunës gjinore dhe të dënojnë pa kompromis dhunuesit e vrasësit e grave. Përmes kësaj kumtese, RrGK kërkon që të merren parasysh të gjitha rrethanat rënduese në rastin e Naser Pajazitajt dhe të kthehet në fuqi dënimi me burgim të përjetshëm për të. Po ashtu, procesi nuk duhet të lë hapësirë për rigjykim”, thuhet në reagim, përcjell Reporteri.net.
RrGK-ja thotë se do ta monitorojë edhe këtë rast për së afërmi dhe do të kërkojë drejtësi për Donjeta Pajazitajn, dhe për secilën grua të dhunuar e të vrarë.