Fjalë Kyçe

Rriten çmimet e kafes, paralajmërohen masa ndaj gastronomëve

Rriten çmimet e kafes, paralajmërohen masa ndaj gastronomëve

Kryetari i Autoritet Kosovar të Konkurrences, Valon Prestreshi, ka shprehur shqetësimin për siç ka thënë ngritjen e çmimeve të kafeve dhe produkteve të tjera, në disa prej lokaleve të gastronomisë në Kosovë.

Prestreshi, nëpërmjet një shkrimi në Facebook, i ka bërë thirrje shoqatës së gastronomisë që të distancohet nga kjo sjellje e gastronomëve dhe të ndalin këto veprime, në të kundërtën siç ka thënë, AKK-ja do të inicojë procedura hetimore.

“Gjithë ato ankesa, gjithë ato protesta, gjithë ai presion që u ushtrua nga sektori i gastronomisë, kundrejt masave të vendosura nga Qeveria për ta parandaluar infeksionin Covid 19, e që kishin të drejtë në disa raste, tani po të njëjtit gastronomë në disa qytete të Kosovës kanë vendosur që bashkërisht me marrëveshje t’i ngritinë çmimet e kafeve dhe produkteve tjera. Kjo formë e ngritjes së çmimit është e ndaluar, andaj para se të inicoj procedura hetimore Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, si titullar i këtij institucioni fillimisht i bëjë thirrje Shoqatës së Gastronomëve, që ata të distancohen nga këto sjellje të gastronomëve dhe të bëjnë thirrje për ndalim të këtyre veprimeve. Në të kundërtën, derën e parë që do ta trokasim është dera e shoqatës së gastronomeve”, ka shkruar Prestreshi.

Kryetari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Petrit Kllokoqi ka thënë se disa herë janë akuzuar se kanë bërë marrëveshje për ngritje çmimesh mirëpo sipas tij, kjo nuk qëndron.

Kllokoqi ka thënë për KOHࣿËN se ekziston liria e tregut dhe se sipas tij, bizneset kanë të drejtë të vendosin për çmimet vetë.

“Edhe më parë na kanë thënë se kemi marrëveshje për ngritje çmimesh por kjo nuk është e vërtetë, se ne nuk bëjmë marrëveshje të tilla. Tregu është i lirë dhe gastronomët mund të vendosin ta shesin një kafe 100 euro e këtu nuk mund të ndërhyjmë”, ka thënë Kllokoqi.

Ai ka thënë se janë të gatshëm të takohen me kryetarin e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës për të diskutuar për këtë.

Gastronomia është hapur të hënën që shkoi pas një mbylljeje dy javore, me vendim të Qeverisë së Kosovës, për të zvogëluar përhapjen e pandemisë me koronavirus.