Nga e hëna, Italia do të mbyllë klubet e natës dhe do ta bëjë të detyrueshme bartjen e maskave gjatë natës në disa zona të vendeve të hapura, raporton Reuters.
Kjo është rivendosja e parë e kufizimeve, pas rritjes së rasteve me koronavirus në gjithë vendin, veçanërisht në mesin e të rinjve.
Fotografitë e turmave të pushuesve të rinj që vallëzojnë dhe pinë natën, ishin në faqet e para të gazetave italiane, raporton AFP.
Rastet e reja gjatë javës së kaluar në Itali, vendi i parë evropian që u godit rëndë nga koronavirusi, ishin më shumë se dyfish nga ato të regjistruara tre javë më parë dhe mosha mesatare e personave që u infektuan ka rënë nën 40, sipas të dhënave.
Rregullat e reja do fillojnë të hënën – dy ditë pas një feste italiane, ku shumë të rinj italianë dalin jashtë për të festuar, – dhe do të zgjasin deri në fillim të shtatorit.
Bartja e maskës do të kërkohet nga ora 6:00 deri në 18:00 në zonat afër bareve ku ka më së shumti tubime.
A do të prekë COVID-19 popullatën e re, sikur Gripi Spanjoll i vitit 1918?
Sipas agjencisë së lajmeve dpa, të gjitha klubet, përfshirë ngjarjet në vendet e hapura dhe klubet e plazhit, do të qëndrojnë të mbyllura deri më 7 shtator.
Ekspertët dhe politikanët kishin paralajmëruar se rihapja e shkollave mund të rrezikohet nga rritja e numrit. Shkollat pritet të rifillojnë më 14 shtator pas pushimit të verës.
“Ne nuk mund të dëmtojmë sakrificat e bëra në muajt e kaluar. Prioriteti ynë duhet të jetë ai i hapjes së shkollave në shtator, me siguri të plotë,” tha Ministri i Shëndetësisë Roberto Speranza në Facebook.
Speranza të shtunën u bëri thirrje të rinjve që të jenë sa më të kujdesshëm, pasi “nëse infektojnë prindërit dhe gjyshërit e tyre, ata rrezikojnë të krijojnë një dëm të vërtetë”.
Qeveria kishte mbajtur klubet e hapura pavarësisht kritikave të mëdha se ata tërhoqën turma, se distancimi shoqëror nuk po respektohej dhe maskat nuk po barteshin.
Kjo industri ka të ardhura vjetore prej 4 miliardë eurosh, sipas grupit të lobit të këtij sektori Silb, që i bëri thirrje qeverisë për mbështetje.
Ministri i Industrisë, Stefano Patuanelli, pranoi se do të ketë dëme ekonomike, por ai shtoi se nuk ka ndonjë alternativë.
Të dielën, 479 raste të reja u konfirmuan, kurse te shtunën 629.
Që nga shpërthimi i koronavirusit më 21 shkurt, Italia ka regjistruar më shumë se 35,000 vdekje.