Sadri Sadria, është një nga pacientët e shumtë që po kërkojnë ndihmë mjekësore në Qendrën e Mjekësisë Familjare nga gripi sezonal.
“Për momentin kam ankesa për fytin, hundët dhe gjoksin. Kam edhe një ndjenjë goksimi…”, thotë pacienti Sadri Sadria.
Edhe pse numri i pacientëve është mjaft i madh, doktoresha e Mjekësisë Familjare Bukurie Shala, thotë se krahasuar me vitin e kaluar, këtë vit ka një numër më të vogël të pacientëve.
“Për një ditë kanë qarkulluar rreth 300 pacientë, dhe lirisht mund të themi se nga këta 200 kanë pasur grip sezonal. Mirëpo numri i përgjithshëm në krahasim me vitin e kaluar është më i vogël”, tha për RTVD, Bukurie Shala.
Ndërsa Ariana Kalaveshi nga Instituti i Shëndetit Publik, thotë se akoma jemi larg një situate epidemiologjike me grip sezonal.
“Për momentin sëmundje të ngjashme me gripin, janë të raportuara rreth 17,119 raste. Po ashtu raportohen edhe sëmundje të traktit respirator. Janë paraqitur 2,914 raste. Jemi shumë larg pragut epidemik”, shprehet Ariana Kalaveshi.
Nga Instituti i Shëndetit Publikë është konfirmuar edhe rasti i parë me influencën A. Pacientja e moshës 35 vjeçare është duke u trajtuar në Klinikën e Infektives. Sipas drejtorit të kësaj klinike, Hamdi Ramadani, gjendja e saj është stabile.
“Gjendja e këtij rasti është e mirë për momentin, dhe nuk besojmë se do të lëvizë situata. Në radiografi të mushkërive është identifikuar një pezmatim në mushkri, por mendoj se ditëve në vijim gjendja e saj do të ketë një përmirësim”, deklaroi Hamdi Ramadani.
Vitin e kaluar nga gripi sezonal ishin prekur rreth 60.000 persona dhe nga Instituti i Shëndetit Publik ishte shpallur situatë epidemiologjike.