Fjalë Kyçe

Rritet numri i të infektuarve me COVID-19 në shkollën që u mbyll në Vushtrri

Rritet numri i të infektuarve me COVID-19 në shkollën që u mbyll në Vushtrri

Në shkollën fillore ‘Mustaf Venhari’ në Vushtrri janë infektuar me koronavirus 8 mësimdhënës dhe 15 nxënës.

Ditë më parë, pas testimit, dy nxënës dhe 6 mësimdhënësve, dolën pozitivë me COVID-19. Por, ky numër u rrit pasi u testuan edhe të tjerët.

Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar drejtori i Arsimit në këtë komunë, Afrim Namani, i cili tha se deri tani janë testuar gjithsej 44 mësimdhënës.

Gjendja e tyre shëndetësore është e mirë dhe të gjithë janë pa simptoma, kështu bëri të ditur Namani.

Por, me vendim të Ministrisë së Shëndetësisë, shkolla është mbyllur dhe mësimi po vazhdon online.

Gazeta Express ka kontaktuar edhe me drejtorin e shkollës, Shyqri Bunjaku, i cili tha se shkolla do të qëndrojë e mbyllur për 2 javë.

Bunjaku tha se javën tjetër, së bashku me Task Forcën e Komunës së Vushtrrisë do ta analizojnë gjendjen në të cilën gjendet shkolla, pasi do të testohen edhe klasat e parashkollorëve.

“Jemi në atë fazën ku jemi duke i bërë testimet nëpër klasa dhe jemi në përfundim, vetëm parashkollorët na kanë mbetur. Gjendja në klasat e tjera është e mirë. Numri i nxënësve në shkollë është i madh, i kemi mbi 1 mijë nxënës, prandaj javën tjetër po mendojmë të bëjmë një analizë, t’i marrim rezultatet e të gjithë klasave, dhe pastaj me Task Forcën e komunës, do ta analizojmë gjendjen se çfare e kemi dhe çka të bëjmë më tutje. Vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë e kemi që shkolla duhet të qëndrojë e mbyllur për dy javë”, tha Bunjaku për Express.

Ndërsa kryetari i kësaj komune, Xhafer Tahiri, pas rezultatit pozitivë të disa mësimdhënësve ka thënë se vendimi për rikthimin në shkollë, do ta marrin varësisht nga situata epidemiologjike.

“Task Forca Komunale, Shtabi Emergjent dhe MSH, MASHT e IKSHPK do të përcjellin situatën dhe në kohë do të marrin vendim për rikthim në shkollë varësisht nga situata epidemiologjike”, kishte shkruar Tahiri në rrjetin social Facebook.

Ndërsa, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ramë Likaj kishte njoftuar se mbi 1,500 mësimdhënës në gjithë territorin e Kosovës do të testohen për koronavirus.

Në udhëzimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), për ruajtje të shëndetit të nxënësve në shkolla, thuhet se shkolla duhet të sigurojë që të respektohet distanca e caktuar e sigurisë të paktën 1.5 metra, secilit nxënës si dhe personelit të shkollës duhet t’i bëhet matja e temperaturës përmes termometrit laserik çdo ditë.

Numri i përgjithshëm i mësimdhënësve në nivel vendi llogaritet të jetë mbi 23 mijë.