Shkruan: Andrew A.Michta
Është koha ta themi me zë të lartë: Demokracitë në mbarë Perëndimin, janë në pikën më të ulët të fjalës së lire, dhe nuk është e qartë se si do të shkojnë punët mbi këtë çështje në 20 apo 30 vitet e ardhshme. Një sondazh i “Rasmussen Raport” i dhjetorit 2018, zbuloi se sot vetëm 26 përqind e të rriturve amerikanë, besojnë se kanë liri të vërtetë të fjalës, ndërsa 68 përqind mendojnë se duhet të jenë të kujdesshëm të mos thonë diçka politikisht të pasaktë, për të mos u futur në telashe.
Në vitin 1990 kishte rreth 75 “fjalime të urrejtjes” në kolegjet dhe universitetet amerikane. Vetëm një vit më vonë, numri u rrit në më shumë se 300, para se të shtohej në mënyrë dramatike më vonë. Sipas Fondacionit për të Drejtat Individuale në Arsim (FIRE) në vitin 2018, 90 përqind e universiteteve amerikane kanë një rregullore që kufizon fjalën.
Ndërkohë në Evropë, Gjermania miratoi në vitin 2017 një ligj të ri, të njohur si NetzDG, që parashikon gjoba të mëdha për kompanitë e mediave sociale, që nuk janë mjaftueshëm të zellshme në policimin e “gjuhës së urrejtjes” në platformat e tyre.
Në vitin 2018, Parisi ndoqi shembullin e Berlinit, duke forcuar ligjet e saj mbi “gjuhën e urrejtjes” në mediat sociale. Po vjet, një sondazh i “YouGov” në Mbretërinë e Bashkuar, zbuloi se shumë votues britanikë (48 përqind), besonin se kishte “mbi shumë çështje të rëndësishme këto ditë, ku njerëzve nuk u lejohet të thonë atë që mendojnë”.
E fundit, por jo më pak e rëndësishme, një raport i vitit 2019 i Këshillit të Evropës, arriti në përfundimin se liria e shtypit në Evropë, është sot më e brishtë se sa në çdo kohë që nga fundi i Luftës së Ftohtë, duke pasur parasysh rritjen e sulmeve dhe kërcënimet ndaj gazetarëve. Po si arritëm deri në këtë pikë?
Për dekada me radhë, liria për të folur dhe debatuar, e drejta më themelore e një populli të lirë, është gjendur nën sulmet e avokatëve neo-marksistë të një “shoqërie më të drejtë”. Sot e drejta themelore e fjalës e lirë, është nën kërcënim jo vetëm nga kodet e fjalës, domethënë nga përshkrimet për atë që nuk mund të thuhet, por gjithnjë e më shumë nga rregulla përshkruese për atë që duhet thënë.
Po pse shoqëritë në Evropë dhe Amerikë, duket se synojnë të shtypin impulset thelbësisht demokratike për të folur lirisht, qoftë edhe në mënyrë të gabuar, për të debatuar dhe madje për të fyer, në mënyrë që përmes gjithë kësaj, të arrijmë të mësojmë se ajo që e kalon provën e mirëkuptimit, mund të arrijë ndoshta një konsensus më të madh kombëtar mbi politikën?
Rrënjët e jo-lirisë sonë në rritje, janë mbjellë që në fund të viteve 1960, por vetëm sot mund vërtetë të vlerësojmë shkallën në të cilën idetë e asaj kohe, e prishën kulturën tonë demokratike. Dallga e fundit neo-marksiste kundër fjalës së lirë, veproi në hapësirën e një brezi të vetëm, rezultat i një mospërputhjeje kulturore, gjatë së cilës konservatorët duket se kanë humbur ndjenjën e kujdesit, dhe liberalët të mendjes së tyre kolektive.
Si për ironi, sulmi i fundit kundër vlerave themelore të traditës sonë demokratike, u përkeqësua nga triumfi ndoshta më i madh ideologjik në historinë e Perëndimit, dhe në retrospektivë, edhe nga momenti ynë më i rrezikshëm. Ishte viti 1990, qeveria e parë post-komuniste ishte formuar tashmë në Poloni prej 1 viti, hungarezët kishin hapur kufijtë e tyre për të shpëtuar refugjatët nga Gjermania Lindore, dhe çekët dhe sllovakët ishin mbledhur në Sheshin Venceslas, për t’i thënë mafias së komunizmit, se ishte koha të largohej.
Më pas u rrëzua Muri i Berlinit, dhe gjermanët mbajtën frymën pezull, duke shpresuar se ëndrra dikur e pamundur e ribashkimit, do të bëhej realitet. Në të dyja anët e Atlantikut, ne brohorisnim “Annus Mirabilis” (vitin e mrrekullive), duke u ngazëllyer nga ai triumf i demokracisë, që dukej i pakthyeshëm.
Në fakt, amerikanët dhe evropianët, kishin të gjitha arsyet të festonin. Bota dukej e përkryer për të pqërjetuar një ”cunam” të ri të lirisë. Historia ishte në anën tonë, ose të paktën kështu pretendonte në atë kohë një mori analistësh dhe ekspërtësh. Tani që e gjithë Evropa kishte afirmuar vlerën e lirisë, a nuk ishte e qartë se do të pushtonte globin?
Megjithatë, momenti i kolapsit sovjetik ruajti një kërcënim të fshehtë, që në më pak se 3 dekada, do të thellonte ndarjet tona, dhe do të dobësonte themelet e lirisë individuale. Ndjesia jonë e fitores, përmbante brenda saj farën ndoshta të rrezikut më të madh, me të cilin është përballur ndonjëherë Perëndimi: siguria ideologjike, jo vetëm në të majtë, se kishim plasaritur kodin e gjendjes njerëzore, dhe mund të vazhdonim me punën e përsosjes, si të individit ashtu edhe dhe shoqërisë.
Me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik, ne humbëm një armik, shoqëria e të cilit ishte një shembull i gjallë i atyre projekteve që synonin ri-inxhinierimin e natyrës njerëzore: humbjen e lirisë, pasuar nga represioni dhe terrori. Pas dështimit të eksperimenti bolshevik toksik që shkaktoi miliona të vdekur, dhe një mjerim njerëzor të papërshkrueshëm, tundimi i triumfalizmit ishte shumë i fortë.
Megjithatë, rënia sovjetike fuqizoi ndërkohë neo-marksistët, dhe progresistët e tjerë në Perëndim, për t’u rikthyer nga vetja, dhe për t’u përqëndruar tek “armiku i brendshëm”, domethënë ai i “sistemit”. Duke harruar përpjekjet e dështuara të komunizmit, u bë e mundur të ndërtohet një narrativë, sipas së cilës “socializmi i vërtetë” mund të kishte arritur nëse stalinistët dhe maoistët, nuk do ta kishin korruptuar ëndrrën kolektiviste.
Ata na thanë se në epokën e globalizimit, modernizimi i orientuar nga eksporti, do të nxjerrë në mënyrë të pashmangshme ekonomitë e pazhvilluara nga varfëria, duke çuar në rritjen e një klase të mesme të arsimuar, të fuqizuar, që do të kërkonte të qeverisej nga një qeveri përfaqësuese.
Edhe sot, disa njerëz vazhdojnë të kapen pas këtij argumenti, kundër të gjitha provave për të kundërtën. Mjerisht, nuk është e tepruar të thuhet se liria po reduktohet në të gjithë Perëndimin, jo për shkak se na kanë mposhtur në betejë ushtritë e huaja. Përkundrazi, Perëndimi po rrezikon gjithnjë e më shumë të bëhet “post-demokratik”, pasi vlerat themelore të shprehjes së lirë dhe sovranitetit të individit, janë duke u larguar nga debati publik.
Në Evropë dhe Amerikë, ata që kanë aspirata për arritje profesionale në univeritet, botën e korporatave, apo mediat duhet t’i përkulen gjithmonë ortodoksive mbizotëruese, dhe të pastrojnë fjalimin e tyre nga të gjitha frazat e gabuara.
Duke lënë mënjanë trashëgiminë e tij kulturore, dhe duke qenë gjithnjë e më shumë injorant mbi historinë e tij, Perëndimi po copëtohet përgjatë linjave racore, etnike dhe ideologjike. Me lirinë e fjalës nën sulm, Perëndimi, si në politikë ashtu si një trashëgimi kulturore e veçantë, është në pragun e një beteje themelore për mbijetesën e traditave të saj demokratike. Është koha që të gjithë ne të ngrihemi për lirinë. Dhe duhet ta bëjmë këtë me zë të lartë.
Shënim: Andrew A. Michta është dekani i Kolegjit të Studimeve Ndërkombëtare dhe të Sigurisë në Qendrën Evropiane për Studime të Sigurisë Xhorxh C.Marshall
“