Fjalë Kyçe

“Rrjedhjet e Speciales”: Dosjet e publikuara në Top Channel përmendin edhe vrasje të zyrtarëve të LDK-së

“Rrjedhjet e Speciales”: Dosjet e publikuara në Top Channel përmendin edhe vrasje të zyrtarëve të LDK-së

Dokumente tjera, që pretendohet që janë të Dhomave të Specializuara të Hagës, janë bërë publike këtë herë nga mediat në Tiranë.

Një dosje me mbishkrim konfidencial më vëllim prej 260 faqesh, siç pretendon Top Channel, paraqet bazën e argumenteve mbi të cilat është ndërtuar aktakuza kundër presidentit Hashim Thaçi e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.

Dosja e pretenduar e Hagës, sipas raportimit, është përpiluar në dhjetor 2019 dhe është një përmbledhje ekzekutive e rrethanave për krimet e dyshuara.

Dokumentet, sipas Top Channel, flasin për dy kategori të vrasjeve që ka bërë UÇK-ja.

Kapitulli i parë ndalet në krimet e prodhuara si pasojë e torturës dhe trajtimit çnjerëzor të atyre që UÇK-ja i kishte shpallur si bashkëpunëtorë të Serbisë apo tradhtarë, ku përfshihen edhe zyrtarët e LDK-së.

Ky kapitull ndalet edhe në rolin e ndalimit arbitrar dhe kushte jo humane të tyre në paraburgim, në disa zona bastione të UÇK -së.

Më pas renditen disa vrasje, që pretendohet se janë kryer jashtë hapësirave të paraburgimit, në zonën e maleve të Berishës.

Në 33 faqe, sipas Top Channel, është argumentuar krijimi i UÇK-së dhe përplasja e fortë e udhëheqësve të tyre me LDK-në.

Nga analiza e provave të mbledhura, siç citohet dosja, prokurorët specialë thonë se potencialisht mund të akuzojnë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Azem Sylën, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.

Prova të limituara thuhet se ekzistojnë për pjesëmarrje direkte të personave që potencialisht mund të akuzoheshin.

Prokurorët, siç citohen në këtë dosje, autenticiteti i së cilës nuk është vërtetuar, deklarojnë se të akuzuarit potencialë janë pjesa udhëheqëse e hierarkisë së UÇK-së dhe këto krime mund t’u faturohen edhe personave të tjerë si: Rustem Mustafa, Lahi Brahimaj dhe Sylejman Selimi, të cilët janë dënuar më parë për krime lufte nga gjykatat në Kosovë.

Më pak prova thuhet se kanë për Xhavit Halitin dhe Sabit Gecin, e që, sipas dosjes, prokurorët kërkojnë krijimin e dosjeve të veçanta për të parë mundësinë e akuzimit të tyre.

Prokuroria e Specializuar në Hagë muaj më parë njoftoi se ka dorëzuar në gjykatë një aktakuzë ku, ndër të tjera, përfshihen presidenti Hashim Thaçi e kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, dhe persona të tjerë e që dyshohen për dhjetëra vrasje.