Inspektorati i Punës ka shqiptuar gjobë në vlerë prej dy mijë euro të enjten ndaj Radio Televizionit të Kosovës (RTK), ka njoftuar Sindikata e Pavarur e RTK-së.
Kjo masë ndëshkimore thuhet se është gjoba e dytë brenda pak ditëve që mediumi publik ka marrë nga Inspektorati i Punës.
“Në muajin qershor RTK është gjobitur në vlerën prej 2 mijë euro nga IP për suspendimin e paligjshëm të kolegut, Jeton Bajgora nga puna. Përgjegjës për këtë veprim Inspektorati e ka bërë drejtorin gjeneral të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj. Edhe në vendimin e sotëm të IP-së përgjegjës për anulim të paligjshëm të konkursit, fitues i të cilit kishte dalë i punësuari Jeton Bajgora, Inspektorati e bën drejtorin gjeneral të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj”, thuhet në njoftimin e kësaj sindikate.
Tutje bëhet e ditur se në vendimin e Inspektoratit të Punës thuhet se drejtori i përgjithshëm në marrjen e vendimit të datës 18.04.2024, me të cilin e anulon konkursin për vendin e punës “Udhëheqës i TV Produksionit’’ ka vepruar në kundërshtim me nenin 6 paragrafin 5 pika 5.1 dhe 5.2 të udhëzimit administrative 07/2017 për proceduarat e konkursit në sektorin Publik.