Fjalë Kyçe

Rusia emëron komandant të përgjithshëm për luftën në Ukrainë

Rusia emëron komandant të përgjithshëm për luftën në Ukrainë

Ministria ruse e Mbrojtjes ka emëruar gjeneralin, Sergei Surovikin, si komandant të forcave të Kremlinit që janë duke luftuar në Ukrainë.

Ky është zyrtari i parë që emërohet si komandant për të gjitha forcat ruse që janë në territorin ukrainas, prej muajit shkurt.

Ky njoftim ka ardhur disa orë pasi një shpërthim, dhe një zjarr i madh, kanë pezulluar trafikun dhe kanë dëmtuar një urë kyçe që lidh Rusinë me Gadishullin ukrainas të Krimesë në orët e para të 8 tetorit.

Origjina e shpërthimit nuk është identifikuar ende.

Gadishulli i Krimesë është aneksuar nga Moska më 2014.

“Me vendim të ministrit të Mbrojtjes, gjenerali i ushtrisë, Sergei Surovikin, është emëruar komandat i grupit të përbashkët të trupave në zonat e operacionit special ushtarak”, është thënë në deklaratë, duke u përdorur referenca e Kremlinit për luftën në Ukrainë.

Prej vitit 2017, Surovikin ka udhëhequr forcat ajrore të Rusisë.

Në qershor të këtij viti, Surovikin është angazhuar me trupat ruse në jug të Ukrainës.

Ai më parë ka shërbyer në Taxhikistan, Çeçeni dhe Siri.

Në muajin prill, transmetuesit BBC dhe CNN, patën raportuar – duke u bazuar në burime – se gjenerali, Aleksandr Dvornikov, është emëruar komandant i përgjithshëm i forcave ruse në Ukrainë.

Megjithatë, në njoftim e fundit nuk është përmendur Dvornikov.

Dvornikov ka reputacion famëkeq për qasjen e tij në luftërat në Siri, ku Rusia ka bombarduar zona të civilëve.

Presidenti rus, Vladimir Putin e ka nderuar Dvornikovin me medaljen e Heroit të Rusisë, një prej titujve më të lartë në këtë shtet.

Teksa Ukraina vazhdon të çlirojë vendbanime prej forcave ushtarake ruse, në lindje të shtetit, Moska është raportuar se ka zëvendësuar edhe komandantë tjerë të lartë të forcave të armatosura.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.