Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken do të shkojë në Ukrainë javën e ardhshme, ndërsa Uashingtoni po koordinon nga afër me Kievin për situatën pas shtimit të fundit të pranisë ushtarake të Rusisë përgjatë kufirit me Ukrainën.
Sekretari Blinken do të jetë në Ukrainë më 5-6 maj, “kur ai do të takohet me Presidentin Zelensky, Ministrin e Jashtëm Kuleba, zyrtarë të tjerë dhe përfaqësues të shoqërisë civile të Ukrainës për të riafirmuar mbështetjen e palëkundur të Shteteve të Bashkuara për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës përballë agresionit që po zhvillon Rusia”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price në një deklaratë të premten.
Shtetet e Bashkuara po vëzhgojnë nga afër lëvizjet e Rusisë pasi Moska njoftoi të enjten e kaluar se do të fillonte tërheqjen e trupave të saj nga kufiri i Ukrainës.
Sekretari i shtypit i Pentagonit John Kirby tha këtë javë se është shumë herët për të folur dhe se po marrin për të mirëqena pretendimet e Rusisë se po tërheqin të gjithë forcat, ndërsa pranoi “një lloj largimi të disa forcave [të Rusisë] nga Ukraina”.
Zyrtarë të lartë amerikanë dhe të Bashkimit Evropian kishin thënë se afërsisht 150 000 forca ruse u dislokuan përgjatë kufirit të Ukrainës dhe në Krime, numër më i madh ky nga forcat në këtë zonë shtatë vjet më parë kur Rusia pushtoi dhe aneksoi Krimenë në vitin 2014.
Shtetet e Bashkuara kanë riafirmuar mbështetjen e tyre për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Ukrainës, duke i kërkuar qeverisë ruse të ndërpresë menjëherë çdo veprimtari agresive në Ukrainë dhe përreth saj.
Udhëtimi i Sekretarit Blinken në Ukrainë do të ishte udhëtimi i tij i parë si sekretari amerikan i shtetit. Në Kiev, ai “do të inkurajojë gjithashtu përparimin e vazhdueshëm në agjendën e reformave institucionale të Ukrainës, veçanërisht veprimin anti-korrupsion, i cili është thelbësor për sigurimin e institucioneve demokratike të Ukrainës, prosperitetin ekonomik dhe të ardhmen Euro-Atlantike”, tha zoti Price në deklaratën e së premtes.
Para udhëtimit në Ukrainë, kryediplomati amerikan do të marrë pjesë në një takim të ministrave të jashtëm të G-7ës në Londër nga 3-5 maj, i cili është takimi i parë i tillë në person që prej dy vitesh kur filloi pandemia e koronavirusit.
“Shtetet e Bashkuara do të diskutojnë se si mund të punojnë me vendet e tjera për të trajtuar çështjet kyçe gjeopolitike me të cilat përballemi ndërsa rimëkëmbemi më tej nga kjo pandemi”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit. “Trajtimi i COVID-19 dhe kriza e klimës do të vihen në rend të parë në agjendë, ashtu si edhe avancimi i rritjes ekonomike, të drejtat e njeriut, siguria ushqimore, barazia gjinore dhe fuqizimi i grave dhe vajzave”.
Në Britani, Sekretari Blinken do të takohet gjithashtu me Kryeministrin Boris Johnson dhe Sekretarin e Jashtëm Raab “për të diskutuar përparësitë e përbashkëta SHBA-Britani të Madhe”.
Përveç vendeve të G-7ës, zyrtarë nga Australia, India, Afrika e Jugut, Koreja e Jugut dhe Brunei, në cilësinë e Kryesisë së ASEAN-it, do të bashkohen në takimin e Ministrave të Jashtëm dhe të Zhvillimit të G-7 si të ftuar.
Price tha se, “këto takime do të hedhin bazat për Samitin e 46-të të Udhëheqësve, në Cornwall në qershor.”