Në një pikë kaq delikate në konfliktin ukrainas, Vladimir Putin jo vetëm nuk jep sinjale zbutje, por shumëfishon tensionet në arenën ndërkombëtare.
Moska ka testuar sot raketën balistike interkontinentale më të fuqishme në dispozicion, që njihet ushtarakisht si raketa e tipit Sarmat në Rusi dhe Satan-2 në vendet e perëndimit.
Raketa që mund të përshkojë mbi 13 mijë kilometra dhe ka kapacitetin për të mbajtur deri në 13 bomba atomike brenda saj, sipas kanaleve zyrtare është testuar me sukses, duke nisur nga baza e Plesetsk në veriperëndim dhe duke arritur disa minuta më vonë objektivat në gadishullin e Kamçatkës, në ekstremin lindor, jo larg Japonisë.
Duke përgëzuar oficerët përgjegjës për testimin, Putin deklaroi se Satan-2 do të jetë ushqim për mendjen e atyre që guxojnë të kërcënojnë Rusinë, armiqtë tonë duhet ta mendojnë dy herë”.
Në ditët e kaluara, burime të inteligjencës perëndimore kanë dhënë alarmin se humbjet në ushtarë dhe mjete në Ukrainë, si dhe masat ekonomike ndaj Moskës, po shtojnë agresivitetin e Kremlinit, që sipas tyre në rast zhgënjimi në fushëbetejë mund të përdorin edhe armë bërthamore taktike, me rreze të kufizuar.
Testimi i raketës Sarmat përbën ndërkohë një sinjal direkt për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet e NATO-s që po furnizojnë Kievin me armë./a2cnn