Fjalë Kyçe

Sa paguhen punëtorët në Zvicër?

Sa paguhen punëtorët në Zvicër?

Punëtorët në Zvicër janë ndër më të paguarit në botë, por edhe kostoja e jetesës këtu është një nga më të lartat. The Local shikon se sa fitojnë njerëzit në profesione të ndryshme në këtë vend të pasur, por të shtrenjtë.

Një raport i Zyrës Federale të Statistikave (BFS) për pagat zvicerane hedh dritë mbi disa fakte interesante: raporti tregon edhe sa fitojnë punëtorët e huaj në krahasim me kolegët e tyre zviceranë, shkruan The Local.

Sipas Anketës së BFS-së për Strukturën e Fitimeve të 2018, viti i fundit për të cilin gjenden statistikat zyrtare, paga mesatare mujore në Zvicër është 6,538 franga.

Pagat nuk kanë ndryshuar në mënyrë dramatike që nga ajo kohë.

Studimi tregon se 10 për qind e të punësuarve me pagën më të ulët kanë fituar më pak se 4,302 franga në muaj, ndërsa 10 për qind më të paguarit, kanë fituar gati 11,700 në muaj.

Pabarazitë në paga, të bazuara në gjini

Nuk është për t’u habitur, sondazhi tregon pabarazi në paga midis burrave dhe grave në të gjitha profesionet, nivelet e arsimit, grupmoshat dhe sektorët privatë dhe publik.

Mesatarisht, gratë fitojnë 11.5 për qind më pak sesa burrat që punojnë në të njëjtat pozicione, megjithëse hendeku është ulur në mënyrë të vazhdueshme në dekadën e kaluar.

Shifrat e BFS tregojnë gjithashtu divergjencën në paga midis zviceranëve dhe të huajve me leje të ndryshme pune.

Ndërsa një burrë zviceran fiton 7,500 franga në muaj, një grua zvicerane paguhet pak më shumë se 6,000 për të njëjtën punë.

Një burrë me një leje afatshkurtër L fiton rreth 5,000 franga, ndërsa një grua që mban të njëjtën leje do të bëjë pak më shumë se 4,000.

Pagesa është pak më e lartë për mbajtësit e lejes B: 5,700 franga për burrat dhe 5,000 për gratë.

Burrat, punëtorë ndërkufitarë me leje G fitojnë afërsisht të njëjtën pagë me mbajtësit e lejeve C – rreth 6,200 në muaj. Por, gratë në ato grupe nuk kanë të njëjtat paga: rreth 5,800 për punëtorët ndërkufitarë dhe 5,000 për banorët e përhershëm.

Kjo mund të jetë sepse kategoria e mëparshme ka aftësitë e nevojshme posaçërisht për tregun e punës të Zvicrës.

Pra, cilat janë pagat mesatare zvicerane për profesione të ndryshme?

Së pari, mbani në mend se pagat ndryshojnë nga një kanton në tjetrin. Në përgjithësi, njerëzit fitojnë më shumë në Gjenevë dhe Cyrih sesa në Ticino, por kostoja e jetesës në këto rajone është përkatësisht më e lartë ose më e ulët.

Në mënyrë tipike, profesionistët si mjekët, avokatët ose inxhinierët, si dhe njerëzit që punojnë në teknologjinë e informacionit, industrinë farmaceutike dhe sektorët e bankave dhe të sigurimeve kanë pagat më të larta.

Nga ana tjetër, punëtorët e pakualifikuar janë ata që paguhen më pak, shpesh të referuar si ‘të varfër që punojnë’.

Lohncomputer, një platformë për qytetarët evropianë që duan ose tashmë punojnë në Zvicër, rendit vlerësimet mesatare të pagave mujore të nxjerra nga sondazhe të ndryshme të pagave.

Këtu janë vetëm disa shembuj:

Avokat: 9,300 franga

Kontabilist: 8,125 franga

Mësues: 7,292 franga

Punonjës i bankës: 6,750

Arkitekt: 6,250 franga

Infermiere: 5,667 franga

Zdrukthëtar: 5,150 franga

Paruker: 4,375 franga

Si krahasohen të ardhurat zvicerane me pagat në vendet e tjera evropiane?

Me një pagë mesatare që tejkalon 96,000 franga në vit, punëtorët e Zvicrës kanë pagat më të larta në Evropë, sipas një sondazhi nga një firmë këshilluese ndërkombëtare Willis Towers Watson, përcjell albinfo.ch.

E dyta për nga lartësia është Danimarka, me pak më shumë se 63,000, e ndjekur nga Norvegjia (gati 60,000).

Nga 18 vendet e anketuara, punëtorët portugezë dhe grekë dolën më keq, me paga mesatare vjetore përkatësisht 22,630 dhe 25,132.