Ish-nënkryetarja e Prishtinës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Donjeta Sahatçiu, ka reaguar pasi të hënën nga kjo pozitë e shkarkoi kryetari, Përparim Rama, i cili në vend të saj emëroi Jehona Lushaku-Sadriun e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) .
“Prishtina na bashkoi, Badoci na ndau”, ka shkruar ajo në Facebook.
Shkarkimi i Sahatçiut nga Rama është bërë pak orë pasi Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë njoftuar se kanë thirrur seancë të jashtëzakonshme për të enjten, për të anuluar vendimin për këmbim të pronave.
Sahatçu në këtë postim, ndër të tjera ka uruar nënkryetaren e re.
“Prishtinë deri herën tjetër, faleminderit! Një copëz e misionit u arrit. Nga një grua të parë nënkryetare në historinë e Prishtinës, nesër vjen një tjetër grua nënkryetare. Jehona, në zyre e gjen shenjë këtë mural të qëndisun me shumë dashni: gratë mbështesin njëra tjetrën. Të priftë e mbara, sytë katër! Për të tjera, kemi kohë. Misioni vazhdon..”, ka shkruar Sahatçiu në Facebook.