Fjalë Kyçe

Sallahu thotë se KQZ-ja shkeli ligjin me ndarjen e numrit për Listën Serbe

Sallahu thotë se KQZ-ja shkeli ligjin me ndarjen e numrit për Listën Serbe

Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka reaguar sot ndaj KQZ-së që ia ndau numrin Listës Serbe për garën zgjedhore të 9 shkurtit në Kosovë.

“KQZ- shkel serish ligjin! Lëvizja Vetëvendosje ka bërë ankesë në PZAP – kundër vendimit të KQZ-së lidhur me certifikimin e Listës Serbe. Në bazë të Nenit 130 të Ligjit për procedurën e përgjithshme administrative, akti administrativ pezullohet përderisa të vendoset ankesa në organin më lartë, në rastin konkret në PZAP”, shkroi ai.

Sallahu tha se KQZ-ja ka shkelur ligjin me rastin e ndarjes së numrit për subjektin politik Lista Serbe, duke mos pritur vendimin përfundimtar të PZAP-it.

“Institucionet e pavarura të Republikës, siç është KQZ-ja, jo vetëm që duhet të mbrojnë vlerat si rendi ligjor e kushtetues, por së paku duhet të ruajnë integritetin e tyre institucional. Nuk mund të lejohet që për t’i bërë vend në fletëvotim një strukture që e lufton shtetin e Kosovës dhe merr në mbrojtje terroristët, të shkelet kaq brutalisht Ligji për zgjedhje dhe çdo praktikë e rregullt. Andaj, Lëvizja Vetëvendosje përmes kësaj ankese synon ta prapësojë këtë vendim të paligjshëm, të mbrojë rendin ligjor dhe të pamundësojë certifikimin e Listës Serbe”, thuhet në ankesën që ky subjekt politik ka deponuar në PZAP.