Fjalë Kyçe

Sanksionet e SHBA-ve: Kosova po futet në rrugë të rrezikshme, politikanët të reflektojnë

Sanksionet e SHBA-ve: Kosova po futet në rrugë të rrezikshme, politikanët të reflektojnë

Marrëdhëniet Kosovë – SHBA kanë arritur në pikën më të ulët të mundshme.

Kështu po vlerësojnë analistët politikë dhe opozita në Kosovë, dhe kjo është vërtetuar edhe mbrëmë nga lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Mustafa, në një paraqitje televizive mbrëmë ka bërë të ditur se I Dërguari i Posaçëm i presidentit të SHBA-ve, Donald Trump për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell e ka paralajmëruar për mundësinë e vendosjes së sanksioneve të SHBA-së ndaj Kosovës.

“Sot më ka kontaktuar Grenell në telefon, më ka paralajmëruar për sanksionet rreth fondeve të MCC”, është shprehur Mustafa.

Mirëpo edhe vet Grenell gjatë kësaj jave nëpërmjet një reagimi në Twitterin e tij e ka bërë të ditur se SHBA-të nuk do t’i asistojnë liderëve të Kosovës që po i dëmtojnë qytetarët e vet.

Ekspertët e ekonomisë dhe të politikës kanë vlerësuar se taksa ka pasur dhe po vazhdon të ketë efekte negative në Kosovë.
Njohësi i ekonomisë, Safet Gërxhaliu në një prononcim për lajmi.net ka thënë se taksa ndaj Serbisë ka mbrojtur interesat e armiqëve të Kosovës.

Tutje, Gërxhaliu i pyetur rreth sanksioneve të SHBA-ve ka thënë se marrëdhëniet e Kosovës dhe SHBA-ve nuk kanë alternativë dhe duhet të kultivohen.

“Taksa ka pasur efekte negative për Kosovën dhe të ardhmen e saj. Vetë fakti që kemi përçarje mes partive politike dhe koalicioneve në Kosovë por që ka ardhur edhe deri tek humbja e partneritetit ndërkombëtar dëshmon që kjo taksë i ka mbrojtur interesat e armiqëve të Kosovës. Besoj që duhet të jemi të vetëdijshëm që raporti me shtetet mike nuk ka alternativë, sidomos raporti me SHBA-të dhe shtetet e BE-së. Besoj duhet të gjindet një mënyrë diplomatike që këto raporte të kultivohen në interes të Kosovës.”, tha Gërxhaliu për lajmi.net.

Gërxhaliu tha për SHBA-të dhe Grenellin është e rëndësishme që në Kosovë të mbizotëroj rendi dhe ligji, duke shtuar se taksa ka qenë pika më e zymtë e Kosovës që pas shpalljes së pavarësisë.

“Unë jam i mendimit që për SHBA-të dhe vet Grenellin është shumë e rëndësishme që në Kosovë të mbizotëroj rendi dhe ligji, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, dialogu për normalizim të raporteve. Besoj që qeveria duhet të gjenerojë partneritet dhe dialog me partnerët e koalicionit sepse e ardhmja e Kosovës është BE dhe partneriteti me SHBA-të, pra duhet të gjindet një alternativë dhe të hulumtohet se si të dilet nga një situatë e krijuar nga taksa që ka qenë pika më e zymtë e Kosovës që pas shpalljes së pavarësisë.”, tha Gërxhaliu më tutje.

Gërxhaliu shprehet optimist se taksa do të largohet së shpejti, dhe ka potencuar se kujdesi i SHBA-ve për Kosovën është gjithmonë i mirëseardhur në frymën e edukimit dhe kalitjes për të ardhmen.

“Mrekullia më e madhe është që politikën amerikane e karakterizon një parashikueshmëri dhe besoj që do të ketë tentativa për të bërë presion, por jam i mendimit që taksa së shpejti do t’i kalojë të kaluarës, besoj të gjithë mendojmë se taksa duhet të eliminohet. Ka politikanë që e duan shtetin dhe ata do ta gjejnë modalitetin që të relaksohet kjo situatë sidomos partneriteti me SHBA-të dhe Kosova që ecë përpara dhe të mos jetë e getizuar si tani. Ajo që është më e rëndësishme të kuptohet që për Kosovën kërkesa nga prindi, pra SHBA-të, është gjithmonë i mirëseardhur por gjithmonë në frymën e edukimit dhe kalitjes për të ardhmën.”, tha Gërxhaliu.

Në anën tjetër, njohësi i çështjeve politike dhe sociologu, Jeton Brajshori për lajmi.net është shprehur se ka filluar të zbatohet presioni amerikan në Kosovë siç është paralajmëruar më parë.

Ai më tutje ka potencuar se tensionet e qeverisë së Kurtit me Grenellin dhe mos-hapja e telefonit të këshilltarit për Siguri Kombëtare të SHBA-ve, Robert O’Brien kanë shënuar kulmin e thyerjes së raporteve Kosovë – SHBA.

“Atë që e kemi paralajmruar më herët vetëm ka filluar të zbatohet, pra presioni amerikan, përkatësisht i dërguari special për dialogun me Serbinë, Richard Grenell ka filluar ofensivën e tij karshi qeverisë dhe gjithë spektrit politik në vendin tonë. Meqenëse qysh nga fillimi janë vërejtur qarje të mëdha mes tij dhe kryeministrit Kurti, ku vazhdimisht i ka përplasur taksa dhe insistimi i tij që ajo të largohet pa kushte, ndërsa kryeministri Kurti me kokëfortësi i mbron parimet e tij që ajo të hiqet pjesërisht si kushtëzim për Serbinë të ndaloj ofensivën e çnjohjeve. Java e kaluar është karakterizuar me tensione mes qeverisë dhe administratës amerikane duke kulmuar me mos hapjen e telefonit këshilltarit për siguri kombëtare Robert O’Brien. Të gjitha këto mosmarrëveshje kanë bërë që z.Grenell të tentoj që përmes partnerit të koalicionit pra LDK-së të gjejë një zgjidhje më të shpejt dhe pa kushte për taksën.”, tha Brajshori.

Më tutje, Brajshori ka potencuar se paralajmërimi i SHBA-ve për sanksione e futë Kosovën në rrugë të rrezikshme.
Brajshori tha se shpreson që qeveria të reflektojë në heqjen e taksës pa kushte dhe të koordinohet me SHBA-të për çdo hap të dialogut dhe politikës së jashtme në përgjithësi.

“Biseda e z. Grenell me kryetarin e LDK-së Isa Mustafa duke e paralajmëruar për mundësinë e vendosjes së disa sanksioneve ekonomike, kjo na futë në një rrugë vërtetë të rrezikshme dhe me këtë diskurs refuzues nga qeveria, raportet tona me aleatin kryesor kanë mbërritur pikën më të ulët! z.Grenell tenton që përmes LDK -së të bëj trysni më të madhe tek kryeministri, mirëpo nuk është ideale edhe prishja e koalicionit dhe shkuarja në zgjedhje sepse kjo do merrte kohë dhe z. Grenell është i interesuar për një zgjidhje sa më të shpejtë edhe pse ai e mohon një gjë të tillë . Shpresojë dhe apelojmë që qeveria të reflektoj sa më shpejt, ta heqë taksën pa kushte (ose të paktën ta pezulloj) dhe të koordinohet me aleatin tonë më të madh sa i përket dialogut me Serbinë dhe politikave të jashtme në përgjithësi.”, tha Brajshori për lajmi.net.

Rreth raporteve të Kosovës me SHBA-të me kryeministrin Kurti nuk pajtohet as opozita e as partneri qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Zyrtarë të lartë të LDK-së kanë potencuar vazhdimisht se marrëdhëniet me SHBA-të janë jetike për Kosovën dhe se askush nuk do të lejohet që këto raporte të dëmtohen.

Në anën tjetër, kreu i opozitës, Kadri Veseli ka reaguar pas paralajmërimit të Grenellit se nuk do të merret më me lidershipin kosovar, duke e quajtur Kurtin si njeri të lajmeve të rreme.

Ndërkaq, raportohet se Kurti ka mbështetjen e Bashkimit Evropian, derisa analistët kanë vlerësuar se përçarja e tij me SHBA-të po vjen edhe si shkak i kësaj por edhe si shkak i raportit të tij me presidentin Thaçi.

I takon kohës që ditët në vazhdim të merren vesh vendimet e Kurtit për çështjen e tarifës 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe atyre boshnjake, duke e parë që vendimi për heqje të pjesërishme të tyre nuk është pëlqyer nga SHBA-të.