Fjalë Kyçe

SBASHK-u kundër mësimit online, por thotë se do t’i respektojnë rekomandimet e IKSHPK-së

SBASHK-u kundër mësimit online, por thotë se do t’i respektojnë rekomandimet e IKSHPK-së

Sot rreth orës 15:00 pritet të mbahet një takim në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, mes përfaqësuesve të Institutit Kombëtarë të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), të Zyrës së Kryeministrit, përfaqësues të drejtorive komunale, si dhe të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), ku pritet të diskutohet për situatën pandemike me COVID-19 në nivel të Kosovës në sektorin e arsimit.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, në një deklaratë për “Telegrafin” tha se janë kundër mësimit online, por se do t’i respektojnë rekomandimet e IKSHPK-së.

“Kemi komunikim me MASH-in dhe sipas asaj që është thënë po presim një konfirmim zyrtar, ku pritet të ketë një takim në MASH, ku do të jenë edhe udhëheqësit e IKSHPK-së, përfaqësues të Zyrës së Kryeministrit, përfaqësues të DKA-së të komunave, ku po pritet që të flitet për situatën aktuale nga pandemia e veçanërisht për arsimin. Nuk kemi ndonjë informatë se kur por do të bisedohet dhe do të analizohet situata dhe organet kyçe që do të vendosin janë IKSHPK-ja dhe Ministria e Shëndetësisë”, ka thënë ai.

Mirëpo, siç tha Jasharaj, SBASHK-u është kundër mësimit online, por, sipas tij, nëse IKSHPK-ja dhe MSH-ja rekomandojnë që për shkak të situatës me COVID-19 të kalojnë në mësim online, ai tha se do ta respektojnë një vendim të tillë.

“SBASHK-u mbetet me insistimin që mësimi të vazhdojë në shkolla, por nëse IKSHPK-ja dhe Ministria e Shëndetësisë e kanë parashikuar si problematike këtë çështje, atëherë ata do të marrin vendim dhe SBASHK-u do të përkrahë vendimin e institucioneve tona dhe do të mobilizojë punëtorët e arsimit dhe nëse ‘larg qoftë’, siç thotë populli, kalohet në mësimin online eventualisht për një kohë të caktuar, atëherë do të mundohemi që mësimdhënësit të jenë sa më aktivë dhe më të suksesshëm edhe në atë lloj mësimi, me urimin që kjo të mos ndodhë, por SBASHK-u do të pajtohet, sepse primar është shëndeti i nxënësve”, ka thënë ndër të tjera Jasharaj.

Ndryshe, kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka njoftuar se pas takimit me institucionet shëndetësore dhe arsimore kanë shqyrtuar mundësinë e fillimit të mësimit online në të gjitha nivelet e arsimit për dy javët e ardhshme, duke filluar nga 22 marsi.

“Është vendosur që të mbesin në fuqi masat e njëjta kundër COVID-19, pasi është vlerësuar se trendët janë stabilë. Ndërkohë që po shqyrtohen mundësitë për fillimin e mësimit online në të gjitha nivelet e arsimit, për dy javët e ardhshme, duke filluar nga 22 marsi. Vendimi lidhur me këtë çështje pritet të merret sot pasdite pas takimit të përbashkët të MASH-it, MSH-së, IKSHPK-së, SBASHK-ut dhe Këshillit të Prindërve”, thuhet në njoftim.