Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj tregoi që autostrada “Arbën Xhaferi” tashmë është në fazën përfundimtare dhe pritet që më 29 maj të bëhet përurimi i saj. Këto komente ai i bëri në emisionin Click.
“Është e vërtetë që Autostrada Arbën Xhaferi është dashur të përfundojë për 42 muaj, nuk ka përfunduar dhe kanë lindur problemet. Ose të ndalet projekti si i tërë dhe të shkohet në arbitrazh ose ne të detyrohemi të paguajmë ata që ne nuk e kemi implementuar kontratën me përpikëri. Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të bëjë pagesën prej 53 milionë eurove dhe ne për me zgjidhë atë ndoshta të themi më të mirën që i kontribuon këtij projekti, kemi vendosur si Qeveri e Kosovës që të bëhet pagesa prej 53 milionëve dhe të përfundojë projekti. I tërë projekti është në fazën përfundimtare, I numërojmë ditët, por përurimi i projektit bëhet më 29 maj dhe kështu që e përmbyllim edhe me pagesë, por edhe si kontratë.”, ka thënë ministri.
Lekaj gjithashtu ka treguar që 65% e shumës për autostradë është paguar dhe mbetet vetëm edhe pjesa tjetër të kryhet dhe të përfundoj obligimi ndaj kontraktorit. “Mendoj që Qeveria e Kosovës për 18 muaj e ka bërë më të mirën e mundshme dhe pothuajse 65 përqind edhe të buxhetit edhe tërë projektit janë kryer për 18 muaj. Duhet t’i gëzohemi një faktit që po e kemi këtë autostradë që e lidh me korridorin apo korridoret evropiane dhe i lidhë dy shtetet dhe ka impakt pozitiv edhe në zhvillimin ekonomik, lëvizjen e lirë dhe e shkurton kohën e çdo qytetari që ia mësynë asaj rruge, qoftë në komunat që i përshkon, por edhe Shkupit dhe qendrave të tjera. Dikund 65 përqind të kësaj shume janë paguar është mbet edhe pjesa tjetër dhe mendoj që ne përmbyllim obligimin tonë ndajë kontraktorit.”, ka thënë ai.
Ministri Lekaj gjithashtu ka thënë që kushtet e terenit e caktojnë shumën e autostradës. “Po ajo që mund të themi është që unë e kam gjete të nënshkruar kontratën, por nuk duhet që të hyjë sepse varet prej relievit, varet prej kushteve. Mund të kushtojë 1 kilometër edhe 100 milionë, mund të kushtojë edhe 2 milionë, mund të kushtojë edhe 10 milionë, prandaj varet prej terrenit dhe kushteve.”, ka thënë Lekaj.
Ministri i Infrastruktures ka treguar që i gjtihë projekti i kësaj autostradës me punët shtesë do t’i kushtojë Kosovës diku 700 milionë euro. “I tërë projekti i kësaj autostrade me gjithë 10 përqindëshin që i ka pas punët shtesë e krejt, do t’I kushtojë Kosovës diku 700 milionë.”, ka thënë ai.
Ministri Lekaj po ashtu është shprehur se me përfundimin e të gjitha autostradave në vend, do të nisë të aplikh=ohet edhe taksa për drejtuesit e automjeteve që e shfrytëzojnë atë.