Fjalë Kyçe

Sejdiu: Shkarkimi im s’ka të bëjë me vdekjet në QKUK

Sejdiu: Shkarkimi im s’ka të bëjë me vdekjet në QKUK

Ish-drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, Basri Sejdiu, po vlerëson se shkarkimi i tij nuk lidhet me vdekjet e shumta ditëve të fundit për shkak të Covid-19, por ka karakter politik.

Për këto arsye, Sejdiu ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Inspektoratit të Punës dhe do t’i padisë personat që sipas tij, ia kanë njollosur emrin.

“Bordi pa paralajmërim më solli vendimin për shkarkim. Ky është vendim politik dhe arsyetimet e tij nuk janë të bazuara. Është raport i auditorit të brendshëm dhe shumica e rekomandimeve i kemi iniciuar vetë si menaxhment. Auditori i brendshëm e ndihmon menaxhimin dhe assesi nuk janë të gjeturat bazë për shkarkimin tim”, ka thënë Sejdiu.

Ai në një konferencë për medie ka theksuar se nuk ka të drejtë askush ta njollosë atë në mënyrë të pabazuar, derisa bëri të ditur se të mëdha kanë qenë investimet dhe ngritja e shërbimeve gjatë kohës sa ai ishte në detyrë.

“Sa i përket procedurave të mëtutjeshme, do të bëj ankesë në inspektoratin e punës, në gjyqësi, njerëz të cilët etiketojnë të tjerët do t’i padisë, sepse nuk ka të drejtë askush të njollosë ndonjë personalitet në mënyrë të pabazuar. Sa i përket rezultateve nga dita e parë e kam gjetur një katrahurë, maksimalisht jemi angazhuar të rregullojmë infrastrukturën dhe paralelisht kemi punuar për shërbime më të avancuara”, ka deklaruar ai.

Sejdiu ka thënë se shkarkimi i tij nuk ndërlidhet me vdekjet që ndodhën të dielën në QKUK.

“Fare nuk lidhet shkarkimi im me këto vdekje. Të dielën, mjeku kujdestar ka dyshuar se 3 ose pacientë kanë vdekur në një periudhë të afërt kohore, mirëpo atë natë ka pasur vdekje edhe në klinika tjera dhe ka edhe sot… Mjeku kujdestar ka dyshuar se po ndodh diçka me oksigjen ose aparaturë, andaj ka thirrur policinë. Mendoj se ai është dashur të thërrasë kolegët. Oksigjeni është i licencuar, bombolat e mëdha janë testuar dhe atë natë janë të dokumentuar që presioni nuk ka pasur rënie në bombola. Fatbardhësisht, të gjithë ventilatorët tregojnë se ka pasur presion normal të oksigjenit, por më e rëndësishme është se këta ventilatorë janë në kuadër të servisimit, operatori ekonomik është i kontraktuar për mirëmbajtjen e tyre”, ka thënë ai per kp.

Sejdiu ndërkaq shkarkimin e tij e sheh si një hakmarrje nga bordi i SHSKUK-së.

“Nuk kam qejf të përmend emra, por mund të ndërlidhet. Ka prej tyre që kanë shkelur çdo parim profesional të mjekut. Është i denoncuar prej drejtorit të vet se në sallat operative ka sabotuar punën dhe shkelja e çdo parimi dhe pirja e duhanit në operativë për mua është e pafalshme. Nëse një profesionist shkon e ngulfat një pacient, kjo nuk do koment. Është qesharake që një anëtar i tillë i bordit të më bëjë mua performancë. Mund të jetë kjo që anëtarët e bordit edhe të hakmerren”, ka thënë ai

Ndryshe, sipas Bordit drejtues të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, shkarkimi i Sejdiut erdhi si pasojë e mos përmbushjes së detyrave të punës.