Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka publikuar të enjten listën e pasurive të konfiskuara dhe sekuestruara të terroristit Milan Radoiçiq.
Postimin e saj në Facebook e shpërndau edhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.
Ai këtë rast e ka lidhur me nevojën që vendi ta ketë edhe Byronë për Konfiskimin e Pasurive të Pajustifikueshme.
Ligjin në fjalë opozita e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese.
Mirëpoi sipas ministrit Murati kjo “flet mjaftueshëm për opozitën”.
“Qe pse duhet Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Ligjin për Byronë opozita e ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese. Kjo flet mjaftueshëm për opozitën”, ka shkruar Murati.
Ndryshe, Agjencia për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara ose të Konfiskuara konfiskoi dy prona të paluajtshme të Milan Radoiçiqit në Mitrovicën e Veriut dhe një në komunën e Zubin Potokut, të cilat janë të lidhura me sulmin terrorist ndaj policisë së Kosovës në Banjskë shtatorin e vitit të kaluar.
Nëse themelohet Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë mund të jenë subjekt i verifikimit të pasurisë nëse ekzistojnë dyshime se ajo është fituar në mënyrë të kundërligjshme.
Përveç tyre, verifikimi dhe konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme do bëhet edhe për anëtarët e familjes së tyre dhe palëve të treta, që nënkupton personat te të cilët dyshohet se është bartur pasuria e zyrtarëve publikë.
Projektligji përfshin periudhën nga data 17 shkurt 2008, dhe periudhën brenda dhjetë vjetësh nga momenti kur zyrtarët publikë pushojnë së ushtruari funksionin e tyre.
Persona të ekspozuar politikisht nënkupton personat fizikë të huaj apo vendorë, të cilët janë ose kanë qenë të ngarkuar me funksione të larta publike.
Pasuria do t’iu verifikohet edhe anëtarëve të familjes, bashkëshortit/es, fëmijëve, prindërve, vëllezërve, motrave dhe palëve të treta.
Sipas legjislacionit, byroja ka kompetencat dhe përgjegjësitë për të zhvilluar procedurën e verifikimit të pasurisë dhe parashtron propozimin për konfiskim të pasurisë në gjykatë.
Opozita nuk janë pajtuar që kjo byro të udhëhiqet vetëm nga një drejtor.
Ata madje kanë shprehur shqetësimin se krijimi i byrosë është tendencë për krijim të institucioneve paralele gjyqësore.