Fjalë Kyçe

Selimi për Gjykatën Speciale: Hashim Thaçi ra në minat që i kurdisi vetë

Selimi për Gjykatën Speciale: Hashim Thaçi ra në minat që i kurdisi vetë

Shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi ka thënë se pesë vjet pas votimit të Gjykatës Speciale, LVV vazhdon ta ketë të njëjtin qëndrim.

Selimi përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se çfarë mendimi kanë sot ata deputetë që e votuan Gjykatën Speciale, e veçanërisht presidenti Hashim Thaçi, i cili sipas Selimit nuk e ka besuar që edhe ai vetë do të “bie në minat e veta”.

Postimi i plotë:

5 VJET PAS VOTIMIT TË GJYKATËS SPECIALE

Sot, më 3 gusht 2020, u bënë 5 vjet nga dita kur u ndryshua Kushtetuta e Kosovës në Kuvend për t’i bërë vendin e shtruar rrugën Gjykatës Speciale.

Sot, 5 vjet më vonë, ne Lëvizja Vetëvendosje, kemi të njëjtin qëndrim. Por, a thua çfarë mendimi kanë sot ata deputetë (veteranë të luftës) që e votuan specialen atë ditë? Po vetë ai që e solli në Kuvend, ish kryeministri (presidenti aktual Thaçi) që i detyronte deputetët që ta formojnë këtë gjykatë, çka mendon sot?

Nuk besoj që mendojnë njëjtë, sidomos presidenti që duket se nuk ka besuar që edhe ai vetë do të “bie në minat e veta”.

Thaçi atëherë thoshte së Gjykata Speciale e pastron UÇK-në. A mendon edhe sot ai se thirrja e tij në Hagë e pastron UÇK-në? Ai thoshte atëherë se kjo gjykatë do të merret vetëm me individë e jo me me luftën e UÇK-së. A u përgjigj atje si individ pra?

Askush nuk mund t’ua shlyejë kujtesën qytetarëve që ishin dëshmitarë kur para 5 vitesh ne i paralajmëruam ata që e VOTUAN, e që sot e VAJTOJNË faktin se ekziston kjo gjykatë.

Po OVL-ja, a ekzistonte edhe në vitin 2015? Sa ditë protestoi aso kohe? Madje njoh shumë të tillë që në ditën kur u votua kjo gjykatë ata nuk i prishen as pushimet në Durrës të sponsorizuara nga Qeveria. Po ata deputetë që thonin atëherë që vota për Specialen është qëndrim i partisë? Cili është sot qëndrimi i asaj partie që iu ftua edhe lideri në Hagë?

Atje, nuk do të doja ta shihja asnjë luftëtarë të UÇK-së. As ata që kanë qëndruar larg vijave të frontit. Por Gjykata Speciale ka edhe kontribuesit, sponsorizuesit dhe përgjegjësit e saj.

Çka mbillet – korret.